Policia ka dhënë detaje në lidhje me arrestimin e Jozefin Markut dhe personave që e shoqëronin në momentin kur dhunuan Eduart Kuçin.
Sipas “OraNews”, Jozefin Marku u arrestua në tualetin e banesës së shtetasit Kristjan Nikolli, i cili po ashtu u arrestua, ndërkohë në kërkim janë shpallur Anton Huli dhe Kristjan Nikolli. Kontroll banese u ushtrua në shtëpitë e D.P. dhe Klaudio Hysenit.
“Për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit dhe identifikimin e personave të përfshirë, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, kanë kryer veprime hetimore në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë.
Si rezultat i veprimeve të kryera nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, u ndaluan shtetasit J. M., 30 vjeç, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Kanosja”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Ndërhyrja e padrejtë në jetën private”, si dhe K. N., 31 vjeç, i cili dyshohet se ka qenë drejtues i automjetit tip “Land Rover”, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, bombave ose minave dhe i municionit”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Kanosja”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Ndërhyrja në jetën private”. Ndërkohë, u shpallën në kërkim shtetasit Anton Huli, 48 vjeç dhe K. V., 27 vjeç.



