Të dhënat e Klinikës së Neonatologjisë të Qendrës Klinike e Universitare të vendit, tregojnë që po rriten rastet e foshnjave të braktisura. Vetëm në janar u braktisën tri foshnje përderisa vitin e kaluar pati gjithsejtë 32 braktisje të foshnjave që përfunduan në familjet strehuese.
Në sallën jo fort të madhe dëgjohen të qara të forta foshnjash. Ato kanë ardhur në jetë vetëm disa javë më parë dhe sapo lindën u braktisën nga nënat e tyre biologjike dhe u lanë në Klinikën e Neonatologjisë në qendrën kryesore spitalore të vendit.
Në këto hapësira, zërave të tyre u përgjigjen jo ata që u dhanë jetë, por stafi i klinikës.
Drejtori i Klinikës së Neonatologjisë, Luan Morina, tregon për kujdesin ndaj foshnjave të braktisura. “Aktualisht në Klinikë i kemi dy foshnja të lëna pa përkujdesje prindërore”, thotë Morina.
Nga fillimi i këtij viti aty janë regjistruar tri raste ku foshnjat u braktisën. “Njëra foshnjë është dërguar në një familje strehuese përmes ndërmjetësimit me Qendrën për Punë Sociale të komunës”, shpjegon ai.
Si arsye më të shpeshta të braktisjes së foshnjave nga prindërit biologjikë, sidomos nënat, mjekët përmendin të qenit fëmijë jashtëmartesor, varfërinë apo rrethanat e tjera të rënda sociale, neglizhencën prindërore, e në disa raste edhe dhunën në familje.
Por jo vetëm këto, foshnjat sipas mjekëve po braktisen edhe për shkak të anomalive të lindura apo sëmundjeve të pashërueshme.
