Qendra e Shërbimeve e Down Syndrome Kosova – Dega në Ferizaj po përballet me rrezikun e ndërprerjes së shërbimeve, pas një incidenti në sistemin e kanalizimit në katin sipër të objektit, i cili ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në hapësirat ku zhvillohen aktivitetet.
Përmes një reagimi publik, nga Down Syndrome Kosova kanë bërë të ditur se problemet me kushtet e objektit dhe sigurinë e lokacionit janë ngritur vazhdimisht për më shumë se tri vite, por deri më tani nuk është gjetur një zgjidhje e qëndrueshme.
Sipas tyre, në rrugën “Gursel e Bajram Sylejmani”, ku ndodhet qendra, janë evidentuar edhe dukuri shqetësuese, përfshirë përdorimin e substancave narkotike, funksionimin e një poligoni të qitjes me armë në afërsi dhe veprimtari të prostitucionit.
Për këto arsye, organizata thotë se i ka kërkuar vazhdimisht Komunës së Ferizajt sigurimin e një objekti të ri. Megjithatë, sipas reagimit, deri më tani mbështetja e vetme ka qenë lehtësimi i një pjese të qirasë në vlerë prej 150 eurosh, që ka nisur të zbatohet nga tetori i vitit 2026.
Nga Down Syndrome Kosova kanë paralajmëruar se dëmet e shkaktuara nga incidenti i fundit mund ta pamundësojnë vazhdimin e shërbimeve dhe të çojnë deri te mbyllja e qendrës.




