Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se ndërtimi i një sistemi të qëndrueshëm shëndetësor nuk varet vetëm nga investimet në infrastrukturë, pajisje dhe teknologji, por mbi të gjitha nga ofrimi i shërbimeve të sigurta, profesionale dhe të përqendruara në nevojat e pacientëve.
Këto deklarata Vitia i bëri në hapjen e Konferencës së Parë Ndërkombëtare për Cilësinë e Shërbimeve Shëndetësore, të organizuar nga Ministria e Shëndetësisë, me moton “Investojmë në cilësi, ndërtojmë besim”.
Ai tha se cilësia nuk është vetëm një standard që duhet arritur, por një përkushtim i vazhdueshëm i profesionistëve shëndetësorë ndaj pacientëve dhe profesionit të tyre.
“Është kënaqësi të kemi sonte bashkë përfaqësues të institucioneve, ekspertë dhe profesionistë nga vendet e ndryshme, të bashkuar nga dija dhe mbi të gjitha nga dëshira e përbashkët për avancimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore dhe përmirësimin e kujdesit shëndetësor për qytetarët tanë. Investojmë në cilësi, ndërtojmë besim. Kjo është motoja e kësaj konference, e cila në vetvete përcjell një mesazh të rëndësishëm se përkundër investimeve, përkundër angazhimit të përditshëm, cilësia nuk është vetëm një standard që duhet arritur, por është një përkushtim i vazhdueshëm i gjithë juve të pranishëm dhe jo vetëm, ndaj pacientit dhe ndaj profesionit dhe natyrisht e gjithë kjo rrugë ka shumë sfida”, tha Vitia.
Ministri theksoi se asnjë institucion apo shtet nuk mund t’i përballojë i vetëm sfidat e zhvillimit të sistemeve shëndetësore, duke vlerësuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe partneriteteve ndërkombëtare.
“Një sistem i qëndrueshëm shëndetësor ndërtohet jo vetëm nga investimet në infrastrukturë, pajisje dhe teknologji, por mbi të gjitha në shërbimet e sigurta, profesionale dhe të përqendruara në nevojat e pacientit. Ky është natyrisht një proces me sfida, jo i lehtë, kërkon përkushtim dhe mbi të gjitha kërkon bashkëpunim, dhe asnjë institucion apo vend nuk mund t’i përballojë i vetëm sfidat e zhvillimit të sistemeve shëndetësore”, u shpreh ai.
Vitia tha se Kosova mbetet e përkushtuar në avancimin e cilësisë dhe sigurisë së shërbimeve shëndetësore, në bashkëpunim me profesionistët, institucionet vendore, partnerët ndërkombëtarë dhe komunitetin akademik.

