Dëshmitari Rade Nedelkoviq- i cili ishte roje në hotelin “Rajnska Banjska”, gjatë dëshmisë së tij të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë në gjykimin ndaj tre akuzuarve lidhur me sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në fshatin Banjskë të Zveçanit: Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq, tregoi se si katër persona e kishin sjellë ditën kritike një të plagosur në hotel.
Prokurori special Naim Abazi fillimisht theksoi se dëshmitari Nedelkoviq në Prokurori kishte deklaruar se në ditën kritike kur ka ndodhur sulmi në Banjskë, kishte dalë 50 herë nga hoteli për të parë se çfarë po ndodhte, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Nedelkoviq tha se aty nuk kishte parë veturë, por disa persona të uniformuar, tha se i kishte paralajmëruar të largohen nga tarraca e hotelit ngase dikush mund t’i vriste dhe më pas ishin larguar.
I pyetur lidhur me deklaratën e tij se në ditën kritike rreth orës 16:30 në hotel Rajnska Bansjka kanë hyrë persona të armatosur që e bartnin një person të plagosur dhe se a kishin ndonjë emblemë apo shenjë që tregon se cilit grup i takonin, dëshmitari tha se s’kishin pasur diçka të tillë.
Lidhur me personin e plagosur, ai tha se kishte mbetur të flinte në një dhomë, ndërkaq dëshmitari të nesërmen kishte shkuar në shtëpi, andaj nuk e di se çfarë ka ndodhur.
Ai deklaroi se pasi kishi lënë të plagosurin, disa persona ishin nisur në drejtim të Manastirit në këmbë.
Lidhur me deklaratën e tij se përpara se të pranonte personin e plagosur në hotel i kishte telefonuar shefi i tij Ivan Filiminoviq dhe i kishte thënë ta strehonin atë person aty, Nedelkoviq tha se Filiminoviq nuk e ka urdhëruar, por vetëm i kishte thënë që t’ia jepte dhomën numër 6.
“Nuk më ka thënë kush ka qenë në Kragujevc, këtë e kam kuptu pas disa dite”, tha ai.
Dëshmitari shtoi se kishte folur edhe me një koleg të tij i cili ishte polic hetues në Mitrovicë, ndërkaq shtoi se lista e mysafirëve ka qenë në recepsion, e cila sipas tij mbetet tek evidenca e klientëve sa ditë qëndrojnë aty.
Duke u ballafaquar me deklaratën e dhënë në Prokurori, Nedelkoviq tha se nuk e njeh personin me emrin Sliviq dhe se nuk e di nëse djali i tij ka marrë pjesë në sulm, por meqenëse ka qenë atje beson se po.
Personat që e sollën të plagosurin në hotel, ai tha se kishin hyrë tek hyrja e dytë dhe jo tek ajo kryesore.
“Unë kam qenë i detyruar t’i lëshoj se kanë qenë të armatosur, nuk kam guxuar të refuzoj. Pra, dy kanë mbetur e dy janë larguar, domethënë i plagosuri dhe një tjetër kanë mbetur”, shtoi dëshmitari.
Ndërkaq, i pyetur lidhur me personat që kanë qenë të përfshirë në sulm, ai tha se nuk e di se kush ka qenë ngase kanë pasur maska.
Prokurori e pyeti se a kanë qenë Vladimir Andriq dhe Vladan Iliq, dëshmitari Nedelkoviq tha se nuk i kujtohet se i ka përmendur dhe as nuk i ka parë ata.
Kurse, për Milan Radoiçiqin, ai tha “vetëm kam dëgjuar, kurë nuk e kam pa. Ka qenë një herë në hotel sepse edhe nëse vinte, vinte pak si më ndryshe”.
“A mendoni se ka qenë organizator i këtij grupi”, e pyeti prokurori Abazi.
“Çfarëdo që mendoj unë, ai vetë e ka pranuar”, u përgjigj Nedelkoviq, duke shtuar se e dini se kush janë personat që i kanë ndihmuar Radoiçiqit.
Nedelkoviq tha se si roje i objektit mund të pranojnë mysafirë, por nuk kanë të drejtë të shkruajnë evidencën, për këtë tha se e ka thirrë recepsionisten, andaj nuk e di se çfarë ka bërë ajo.
Në ditën kritike të 24 shtatorit 2023, dëshmitari tha se kishte filluar punën në orën 21:30 dhe se kishte qëndruar dy ditë. Tha se ka punuar si roje në hotel Rajnska Banjska.
Lidhur me rastin, ai shtoi se ishte dëgjuar një zhurmë e madhe dhe të gjithë klientët që ishin në hotel kishin zbritur poshtë, e që ai është dashur të kujdeset për të gjithë.