Ambasadori Christopher Hill, një nga figurat më të njohura të diplomacisë amerikane në Ballkan dhe negociator kyç i çështjes së Kosovës, gjatë një interviste në Euronews Albania, foli dhe për vendimin e tij për të dëshmuar në Hagë në procesin ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi.
Hill ndau refleksione personale dhe u shpreh mbi arsyet që e shtynë të merrte pjesë në këtë gjyq, duke theksuar rolin e përgjegjësisë morale dhe faktit që nuk kishte prova për përfshirjen e Thaçit në krime lufte.
Ai tha se vendimi për të dëshmuar nuk ishte nën presion politik apo profesional, por një përgjegjësi morale ndërsa theksoi se gjatë qëndrimit të tij në Kosovë dhe vizitave në fshatra ku ndodhën krime lufte, nuk pa asnjë provë që Thaçi të kishte urdhëruar apo kryer krime.
“Ai nuk më kërkoi për mbështetje, unë fola me disa njerëz sepse mendoja se ishte një përgjegjësi morale dhe vërtet mendoj se është një përgjegjësi morale. Isha aty, në vende të ndryshme në Kosovë, nuk qëndrova vetëm në Prishtinë, kam qenë në gjithë këto fshatra ku ka pasur krime lufte. Padyshim që ishin krime lufte, ka pasur krime ku autorë kanë qenë serbët kundrejt shqiptarëve, por më falni, ka pasur edhe krime të tjera. Unë ama në atë kohë nuk di asnjë lloj krimi për të cilin mund të thosha se u shkaktua nga z. Thaçi dhe ai tani ka diku tek 5 vite që është në burg, në paraburgim, dhe unë ndjeva se ishte përgjegjësi morale që të shkoja në Hagë, siç bëra, dhe kalova 3 ditë duke dëshmuar dhe ndonjëherë është e vështirë sepse prokurori ishte mjaft i ashpër për këtë çështje, por unë ndjeja se ishte diçka e padrejtë për ta mbajtur atë aty. Shqetësimi im ishte se aty gjatë luftës, unë pashë shumë gjëra gjatë luftës, por asnjëherë nuk pash Hashim Thaçin të vriste njerëz apo të jepte urdhra që të vriteshin njerëz, nuk pash diçka të tillë. Dhe kur mu kërkua që të dëshmoja, pranova”, tha ai.
