Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka pritur në takim ambasadoren e Finlandës në Kosovë, Eevamari Laaksonen, me të cilën ka diskutuar për mundësitë e rritjes së investimeve dhe thellimit të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.
Përmes një njoftimi, Kusari-Lila ka bërë të ditur se në fokus të takimit kanë qenë Zonat Eko-Industriale, si mundësi për kompanitë e huaja, përfshirë ato finlandeze, që të zgjerojnë aktivitetin e tyre në Kosovë.
Ajo ka thënë se ambasadorja ka ndarë vlerësime pozitive të disa kompanive finlandeze që tashmë investojnë në Kosovë, lidhur me klimën e të bërit biznes dhe mikpritjen në vend.
Gjatë takimit është diskutuar edhe për organizimin e “Ditës së Kompanive Nordike” në Kosovë, si dhe për forcimin e lidhjeve me afaristët kosovarë që veprojnë në Finlandë.




