Ish-deputeti i LDK-së, Agim Veliu, ka reaguar ashpër pas rezultatit të zgjedhjeve të 7 qershorit, duke vlerësuar se rezultati nuk mund të paraqitet si sukses dhe se partia ka dështuar të përmbushë pritjet që vetë lidershipi kishte krijuar.
Sipas Veliut, përgjegjësia politike për rezultatin bie mbi kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe presidenten Vjosa Osmani, të cilët ai i quan arkitektët kryesorë të projektit politik të partisë
Reagimi:
Rezultati i zgjedhjeve të 7 qershorit, përfundimisht, nuk mund të maskohet me interpretime kreative apo të paraqitet si sukses.
Qytetarët folën qartë, ndërsa LDK-ja mbeti e betonuar në vendin e tretë, larg pritjeve që vetë lidershipi krijoi gjatë fushatës zgjedhore dhe para saj.
Për dështimin e radhës, përgjegjësia politike bie para së gjithash mbi Lumir Abdixhikun dhe Vjosa Osmanin, të cilët ishin arkitektët kryesorë të këtij projekti politik, i nisur në fillim me hile.
Prandaj, kur kërkohen meritat për çdo sukses, duhet të merret edhe përgjegjësia për dështimet.
U shpërfillën paralajmërimet e veprimtarëve, aktivistëve dhe figurave të shumta të LDK-së për centralizimin e partisë, margjinalizimin e mendimit ndryshe, largimin nga baza elektorale dhe së fundmi përzgjedhjen e kandidatëve sipas shijes dhe interesave personale e grupore.
