Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj një kronike të transmetuar në edicionin qendror të lajmeve të RTK-së, ku thuhej se PDK kërkon “uljen e dënimeve për krerët e UÇK-së”.
Partia e ka cilësuar këtë raportim të pavërtetë dhe fyes, duke thënë se ai ia shtrembëron qëllimisht qëndrimin.
Në reagimin e saj, PDK thekson se e ka kundërshtuar aktgjykimin e shkallës së parë dhe kërkon lirimin e plotë të çlirimtarëve. Ajo kërkon gjithashtu angazhim të plotë të shtetit për t’u siguruar mbrojtjen më të mirë të mundshme gjatë procesit të apelit. Sipas PDK-së, këtij qëllimi i shërben edhe nisma e saj për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
“Nuk pranojmë që kërkesa jonë për drejtësi dhe lirim të plotë të paraqitet para publikut si kërkesë për ulje dënimesh”, thuhet në reagim.

