Presidenca i ka cilësuar të pavërteta pretendimet se Presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar ndërtimin e një rezidence personale me luks, dhoma apo oborr privat.
Në reagimin zyrtar thuhet se Presidentja asnjëherë nuk ka kërkuar ndërtim rezidence personale, ndërsa plani ideor i shpallur për ndërtimin e një objekti të ri për Presidencën nuk ka marrë aprovimin e saj. Për më tepër, Osmani ka kërkuar që ai plan të revidohet në përputhje me nevojat reale të shtetit, jo të individit.
Sipas Presidencës, kërkesa e vetme e Presidentes është ndërtimi i një ndërtesë zyrtare për zhvillimin e takimeve dhe pritjeve shtetërore, pasi Kosova është i vetmi vend në Evropë — në mos edhe në botë — ku Kreu i Shtetit nuk ka një objekt të dedikuar për funksionet zyrtare.