Prokuroria Themelore në Gjilan ka dhënë detaje për vrasjen e rëndë që ndodhi mbrëmjen e së dielës në fshatin Pogragjë, ku një 53-vjeçar dyshohet se me armë zjarri e privoi nga jeta djalin e tij 29-vjeçar.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, rasti ka ndodhur dje, rreth orës 19:20, kur Policia e Kosovës e ka njoftuar Prokurorin e Shtetit për ngjarjen e rëndë.
I dyshuari R.A., 53 vjeç, dyshohet se për motive ende të panjohura ka vrarë djalin e tij, B.A., 29 vjeç.
“Rreth orës 19:20 nga Policia e Kosovës-NJHP në Gjilan është njoftuar Prokurori i Shtetit, se në fshatin Pogragjë, Komuna e Gjilanit, ka ndodhur një rast i rëndë, nën dyshimin se i dyshuari R.A (53 vjeç) nga fshati Pogragjë, Komuna e Gjilanit, për motive akoma të pa njohura, me armë ka privuar nga jeta djalin e tij, tani të ndjerin B.A (29 vjeç)”, thuhet në njoftimin r Prokurorisë.
Pas kryerjes së veprës, i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes dhe aktualisht gjendet në arrati.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipet përkatëse të Policisë së Kosovës dhe Prokurori i Shtetit, të cilët kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e rastit.




