Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka reaguar lidhur me propozimin për (ri)emërimin e Vlora Spancës në pozitën e Auditores së Përgjithshme të Kosovës, duke e cilësuar atë si të kundërligjshëm.
Ramadani pretendon se propozimi përmban shkelje të Ligjit nr. 05/L-055 për Auditorin e Përgjithshëm, duke ngritur çështje lidhur me procedurën e ndjekur dhe kriteret ligjore për emërim.
Sipas tij, ligji nuk parasheh vazhdim automatik të mandatit dhe çdo emërim duhet t’i paraprijë një proces i hapur, i paanshëm dhe transparent i përzgjedhjes dhe intervistimit, i administruar nga komisioni përzgjedhës i caktuar nga Presidenti i Kosovës.
“Ligji nuk lejon vazhdim automatik të mandatit. Çdo emërim kërkon që propozimi të bëhet pas një procesi të hapur, të paanshëm dhe transparent të përzgjedhjes dhe intervistimit”, ka deklaruar Ramadani.
Deputeti ka ngritur gjithashtu dyshime lidhur me përmbushjen e kritereve ligjore nga kandidatja, duke iu referuar, siç thotë ai, informatave të sinjalizuesve të mbrojtur me ligj për një hetim penal të mundshëm ndaj saj.
Ramadani ka bërë të ditur se për verifikimin e këtyre pretendimeve u është drejtuar zyrtarisht Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe Prokurorisë Themelore në Prishtinë.




