Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, komentoi protestat e zhvilluara në Tiranë, duke i dalluar ato nga protestat e qershorit dhe duke këmbëngulur se protestat e fundit kanë një përbërje më të fortë politike.
Në intervistën për median britanike UnHerd, Rama tha se protestat e sotme janë të nxitura kryesisht nga forca të vogla opozitare, si nga e majta ashtu edhe nga e djathta ekstreme. Në ndryshim, ai vlerësoi protestat e qershorit si më të mëdha dhe me pjesëmarrjen edhe të qytetarëve që kishin votuar Partinë Socialiste.
“Protestat e sotme nuk janë protestat e qershorit, kështu që njerëzit që folën sot janë të ndryshëm”, tha Rama.
Megjithatë, kryeministri u shpreh “shumë krenar” për mënyrën paqësore të protestave, duke e cilësuar këtë si shenjë të një vendi normal evropian ku qytetarët kanë të drejtë të protestojnë.
“Jam shumë, shumë krenar që kemi pasur një protestë kaq të madhe për ditë të tëra në një mënyrë shumë paqësore, dhe se askush nuk u lëndua”, u shpreh kryeministri.
Rama përsëriti qëndrimin se rrjetet sociale dhe algoritmet kanë luajtur rol në mobilizimin e protestuesve dhe pretendoi se një pjesë e konsiderueshme e përmbajtjes online rreth protestave është prodhuar jashtë Shqipërisë.
“Algoritmi bëri shumë për t’i sjellë ato në bulevard. Një përqindje shumë e lartë e përmbajtjes prodhohet jashtë ndërtesës. Nuk është shqiptare”, u shpreh ai.
Duke folur për lidhjen e protestave me projektin e familjes së Jared Kushner, Rama tha se tema e Kushnerit dhe e administratës Trump e ka amplifikuar ndjeshëm debatin në rrjetet sociale. Megjithatë, ai nuk dha shenja se qeveria do të tërhiqet nga projekti. Rama deklaroi se projekti i Zvërnecit nuk do të ndalet, por qeveria do të zhvillojë një proces konsultimi me palët e interesuara. Sipas tij, në fund projekti do të jetë i suksesshëm dhe “do të jetë i bukur”.
“Nëse kjo nuk do të kishte të bënte me Jared Kushnerin, Trumpin, Ivankën dhe të gjitha llojet e fantazive, kjo nuk do të kishte qenë aq e mirë për algoritmin”, tha Rama.

