Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka folur për raportet mes Shqipërisë dhe Kosovës, duke thënë se nëse kjo e fundit është nën kërcënim atëherë edhe shteti shqiptar është nën kërcënim.
Në intervistën e tij për Türkiye Today , Rama kujtoi se Kosova tashmë është republikë, proces i cili, theksoi ai, është i pakthyeshëm.
“Kosova është e pavarur; është republikë. Ky proces është i pakthyeshëm. Nëse preket Kosova, preket Shqipëria. Nëse Kosova është nën një kërcënim ekzistencial, Shqipëria është nën një kërcënim ekzistencial,” deklaroi Rama.
Megjithatë, duke folur për dialogun e bllokuar të ndërmjetësuar nga BE-ja mes Prishtinës dhe Beogradit, Rama pranoi se perspektiva e tij nga Tirana natyrisht ndryshon nga ajo e kryeministrit Albin Kurti dhe udhëheqjes në Prishtinë.
“Unë jam në Tiranë, jo në Prishtinë. Kam qenë dëshmitar i luftës së përgjakshme që shpërbëri ish-Jugosllavinë dhe që solli në Kosovë furinë e makinerisë nacional-socialiste të vdekjes dhe shkatërrimit. Kujtimet e atij momenti, plagët dhe makthet janë ende shumë të pranishme atje dhe jo aq shumë këtu. Ky është dallimi që gjithmonë duhet ta kem parasysh kur i shoh gjërat ndryshe nga këtu,” shtoi kryeministri shqiptar.
Kryeministri shqiptar nuk i kurseu fjalët për akuzat e fundit të Vucicit se Shqipëria, Kroacia dhe Kosova po formonin një “aleancë ushtarake” që synon të rrezikojë Serbinë. Rama i karakterizoi këto pretendime si frikë që buron nga paaftësia e Serbisë për ta pranuar realitetin.
“Presidenti Vucic është një njeri me njohuri të mëdha, me intuitë të fortë, që sheh shumë gjëra përpara, por ai ka makthin e tij: është Kosova. Kaq. Pikë,” tha Rama.
“Kur makthi pushton emocionet e tij, ai arrin të thotë edhe gjëra që sinqerisht nuk kanë kuptim,” shtoi ai.
Duke folur për “aleancën” e supozuar, Rama e hodhi poshtë pretendimin: “Ky është një tjetër britmë në makth… Merreni me mend, Serbia ka një marrëveshje shumë më të fortë me Kroacinë sesa kjo.”
Këshilla e tij për Beogradin ishte e drejtpërdrejtë: “Prandaj unë gjithmonë them: prite litarin, lëre të shkojë. Duke e lënë të shkojë, makthi do të marrë fund… Të mos e lësh diçka që tashmë ka ikur, bëhet makth.”
Megjatë, pavarësisht mosmarrëveshjeve me Beogradin, Rama tha se presidenti serb Vucic mbetet një lider “me të cilin mund të bisedohet dhe të ndërtohet së bashku”.
“Mendoj se është dikush me të cilin mund të flitet dhe të ndërtohet mbi bazën e objektivave të përbashkëta,” tha ai për Vucicin.
Rama ka folur edhe për marrëdhënien e tij personale me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan.
“Kam një marrëdhënie shumë të mirë me presidentin Erdogan, të cilin e konsideroj një person të lehtë për t’u marrë vesh,” tha ai.
“Ai është shumë i drejtpërdrejtë; po është po, jo është jo,” shtoi Rama.
Biseda preku gjithashtu rendin global në ndryshim, 30-vjetorin e Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit dhe përpjekjen rekord të Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030.
