Kryeministri i Shqipërië, Edi Rama zhvillon sot e hënë një vizitë zyrtare në Bruksel, ku do të marrë pjesë në Forumin e II-të të Zgjerimit të Bashkimit Europian, që këtë vit mbahet nën temën “Evropë më e gjerë – Evropë më e fortë”.
Aktiviteti do të bëjë bashkë përfaqësues të institucioneve europiane dhe vendeve kandidate për të diskutuar procesin e zgjerimit, ecurinë e reformave dhe perspektivën e anëtarësimit në BE.
Në fokus të forumit do të jetë progresi i vendeve kandidate, Paketa e Zgjerimit për këtë vit, si dhe mundësitë për ndërtimin e një Bashkimi Europian më të zgjeruar dhe më rezistent përballë sfidave të ardhshme. Diskutimet pritet të përqendrohen te reformat që duhet të ndërmarrin vendet aspirante, investimet dhe rritja ekonomike si elemente kyçe për avancimin e procesit të integrimit, raporton Tv Klan.




