Kryeministri Edi Rama ka mbajtur sot mbledhjen e zgjeruar të Grupit Parlamentar të PS. Mes shumë diskutimesh, ai ka folur lidhur me investimin në Zvërnec.
Ai tha se çështja mori përmasa ndërkombëtare në një kohë shumë të shkurtër, duke theksuar se shumë njerëz që nuk e njihnin zonën apo projektin, krijuan qëndrime të forta mbi të. Sipas Ramës, reagimet ndaj projektit nuk u bazuan në analiza të detajuara, por u ndikuan nga emocione, perceptime dhe debate ideologjike që shkojnë përtej kufijve të Shqipërisë.
“Miliona njerëz që nuk dinë as ku ndodhet Zëvrneci, dinin saktësisht se çfarë duhet të mendonin për Zvërnecin. Jo sepse studiuan për Shqipërinë apo analizuan projektin, por sepse te brishtësia e bukur e nje zogu identifikuan simbolin e nje rezistence anti kapitaliste. Më bukur se asnjëherë u hap dhe një kanal për mllefin kundër meje, kundër jush dhe PS-së”, tha Rama.
Kreu i qeverisë argumentoi se projekti në Zvërnec u shndërrua në një përplasjeje më të gjerë globale, e cila nuk lidhet drejtpërdrejt me Shqipërinë.
