Kandidati i Listës Studentore nga Kosova, Jugosllav Gashiq, tha më 7 nëntor se nuk do të ketë bashkëpunim me Listën Serbe, pasi, siç shpjegoi ai, “me dikë që gjatë gjithë kësaj kohe ka qenë fajtori kryesor dhe përgjegjës për pozitën në të cilën ndodhen serbët, vërtet nuk mund të ketë asnjë bashkëpunim”.
Lista Studentore, që doli nga protestat antiqeveritare në Serbi, fitoi zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi në fund të tetorit, duke rrëzuar nga pushteti pas 14 vjetësh ish-presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, dhe subjektin e tij, Partia Përparimtare Serbe (SNS).
Për më shumë se një dekadë, Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës ka dominuar përfaqësimin politik të këtij komuniteti në Kosovë.
Kjo parti u formua me mbështetjen e SNS-së dhe ish-presidentit serb Vuçiq, me mbështetjen e të cilit ka vepruar deri më tani në Kosovë.
Në Kuvendin e Kosovës, ajo ka nëntë nga dhjetë ulëset e rezervuara për komunitetin serb, ndërsa udhëheq edhe të gjitha komunat e banuara me shumicë serbe në Kosovë.
Gashiq përsëriti qëndrimin që e kishte thënë në fund të tetorit në radion lokale Kim në Kosovë, se Lista Serbe ishte “zbatuesja e politikave të SNS-së” në Kosovë”, duke shuar se “nuk duam asnjë kontakt e asnjë bashkëpunim me ta”.
“Ata kanë pozita të caktuara institucionale, mbi të cilat ne nuk mund të ndikojmë, por këto pozita nuk do t’i mbrojnë nga përgjegjësia e mundshme penale për veprimet që kanë kryer. Ekzistojnë mekanizma të ndryshëm, por më e rëndësishmja është se ata do të mbahen nën kontroll”, tha Gashiq për Radio Televizionin e Serbisë (RTS).
Sipas tij, ata që janë fajtor për “situatën në të cilën ndodhet populli serb” nuk kanë të drejtë morale “të flasin për atë që do të duhet të bëjë dikush tjetër”.
Gashiq porositi serbët që të jenë të qetë “pasi nuk do të ndërpritet asnjë ndihmë financiare”.
“Mesazhi për serbët këtu është që gjatë kësaj periudhe tranzicioni, derisa ne ende nuk e kemi marrë efektivisht pushtetin, të mos bien pre e thashethemeve të ndryshme që vijnë nga Lista Serbe, se do të mbeten pa paga, pa ndihmë sociale, se gjoja ne do ta tradhtojmë Kosovën e kështu me radhë”, theksoi Gashiq.
