Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur deklaratave të ministrit të Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq, pas debatit të ndezur mes Tiranës dhe Beogradit për lumin Ibër, duke kundërshtuar ashpër përfshirjen e konceptit të “Shqipërisë së Madhe” në diskutimet për Kosovën.
Në reagimin e tij, Rama e cilëson si të vjetëruar këtë argument të politikës serbe dhe thekson se Shqipëria nuk ka pretendime territoriale ndaj Serbisë, ndërsa mbështetja e saj për Kosovën, sipas tij, lidhet me njohjen e Kosovës si shtet dhe me të drejtën e qytetarëve të saj për të përcaktuar të ardhmen.
“Shqipëria nuk ka asnjë pretendim ndaj territorit serb dhe nuk ka nevojë të shpikë një të tillë. As nuk na nevojitet një ‘Shqipëri e Madhe’ për të qëndruar në krah të Kosovës”, shprehet Rama.
Debati nisi pas diskutimeve për lumin Ibër dhe mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së tij, çështje për të cilën ministri i Jashtëm shqiptar, Ferit Hoxha, kishte shprehur shqetësimin e Tiranës. Gjuriq reagoi duke akuzuar Shqipërinë se po përpiqej të zhvendoste vëmendjen nga, sipas tij, situata dhe të drejtat e komunitetit serb në Kosovë. Ai deklaroi gjithashtu se “nuk ka vend për një Shqipëri të Madhe” apo për projekte të bazuara në zgjerim etnik dhe ndryshim kufijsh.
Rama, megjithatë, e kthen debatin te Kosova dhe kundërshton atë që e quan një “pjesë të veçantë të folklorit politik në Beograd”.
“Sa herë që Shqipëria flet për Kosovën, duhet të thirret menjëherë ‘Shqipëria e Madhe’, sikur përsëritja një ditë mund ta shndërrojë një fantazmë të vjetër në një argument relevant”, ka shkruar kryeministri shqiptar në X.
Sipas tij, Tirana nuk ka nevojë për një projekt të tillë për të mbështetur Kosovën.
“Kosova është një shtet më vete. Shqiptarët e Kosovës janë pikërisht kjo: shqiptarë të Kosovës. Ata kanë Republikën e tyre, institucionet e tyre dhe të drejtën për të përcaktuar të ardhmen e tyre. Ne do të qëndrojmë gjithmonë në krah të kësaj të drejte”, deklaron Rama.
“Serbia e humbi Kosovën”
Kryeministri shqiptar përdor një gjuhë të drejtpërdrejtë edhe për çështjen e statusit të Kosovës, duke deklaruar se Serbia e ka humbur Kosovën.
“Serbia e humbi Kosovën. Përsëritja se nuk e ka humbur mund ta shndërrojë ndoshta humbjen në fitore në gjeografinë e imagjinatës politike, por, për fat të keq, hartat janë më pak të përshtatshme për këtë”, shprehet ai.
Rama thekson se, sipas qëndrimit të Shqipërisë, territori i Republikës së Kosovës nuk është territor i Serbisë dhe burimet natyrore që ndodhen në të nuk mund të konsiderohen burime të Republikës së Serbisë.
“Territori i Republikës së Kosovës nuk është territor serb dhe burimet natyrore që ndodhen në të nuk janë burime të Republikës së Serbisë”, shkruan Rama.
Ai shton se këtë realitet, sipas tij, “miqtë tanë serbë e dinë shumë mirë”, edhe në rastet kur Shqipëria dhe Serbia ulen së bashku në tryezat evropiane.
Rama: “Të kthehemi te lumi”
Pavarësisht debatit politik rreth Kosovës, Rama e rikthen vëmendjen te çështja që e konsideron thelbin e diskutimit: lumi Ibër.
“Prandaj, le të kthehemi te lumi”, shkruan ai.
Sipas kryeministrit, çështja fillestare është ajo e karakterit ndërkufitar të sistemit ujor të Ibrit.
“Çështja fillestare mbetet pikërisht aty ku e la Shqipëria: Ibri është një sistem ujor ndërkufitar”, shprehet Rama.
Ai pranon se Serbia ka të drejtë të menaxhojë burimet brenda juridiksionit të saj, por kundërshton idenë se çdo pasojë e mundshme e një ndërhyrjeje mbi lumin do të mbetej vetëm brenda kufijve të Serbisë.
“Serbia është plotësisht e lirë të menaxhojë burimet brenda juridiksionit të saj. Ajo që nuk mund të argumentojë në mënyrë të arsyeshme është se pasojat e mundshme për një shtet tjetër ndalojnë në mënyrë magjike në kufirin serb”, deklaron Rama.
Në këtë pikë, kryeministri i referohet edhe të drejtës ndërkombëtare të ujërave.
“Pikërisht për këtë ekziston e drejta ndërkombëtare e ujërave. Në fund të fundit, lumenjtë kanë vesin e bezdisshëm të ndjekin gjeografinë dhe jo deklaratat diplomatike”, shkruan ai.
Rama: Të drejtat e serbëve në Kosovë duhet të mbrohen
Një pjesë të reagimit Rama ia kushton edhe komunitetit serb në Kosovë, duke theksuar se Shqipëria nuk kundërshton mbrojtjen e të drejtave të tij.




