Rritja e çmimit të derivateve të naftës po shihet si një tjetër goditje për bizneset në Kosovë, duke shtuar kostot operative dhe duke rrezikuar konkurrueshmërinë e prodhimeve vendore përballë importeve.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka thënë për Ekonomia Online se në rast të një rritjeje të mëtejshme të çmimeve të naftës dhe mungesës së masave institucionale, pasojat mund të jenë tkurrja e prodhimit, rritja e importeve dhe humbja e vendeve të punës.
Duke folur për ndikimin e çmimeve të derivateve te bizneset, Rafuna ka deklaruar se rritja e çmimit të naftës përkthehet drejtpërdrejt në rritje të kostove operative për kompanitë.
“Bizneseve u ka rritur koston e prodhimit. Rritja e çmimit të derivateve të naftës është rritje e kostos operative për çdo biznes. Rritje e kostos operative që reflektohet në prodhim ose në shërbim që ofrojnë kompanitë tona. Pa dyshim që mosndërmarrja e asnjë mase për ta mundësuar, për ta lehtësuar, sidomos disa sektorë që janë më strategjikë dhe më të ndjeshëm siç është sektori i bujqësisë, sektori i prodhimit, sektori i transportit rrugor, sektori i transportit të udhëtarëve, qoftë i brendshëm, qoftë i jashtëm e kështu me radhë pa dyshim që ka ndikuar negativisht dhe nuk i ka bërë konkurrentë kundrejt prodhimeve të huaja që po importohen në vendin tonë”, ka thënë Rafuna.
Sipas tij, produktet vendore tashmë në disa raste janë më të shtrenjta se ato të importuara, ndërsa si faktor përmend edhe politikat fiskale dhe subvencionet që aplikohen në shtetet prej nga importohen këto produkte.
“Dhe ne jemi dëshmitarë me pa që produktet tona kohët e fundit janë më të shtrenjta sesa produktet që importohen, sidomos prej atyre vendeve që i subvencionojnë apo që kanë ndërmarrë veprime të politikave fiskale për të ndikuar në uljen e çmimit të produktit të atij produkti në tregun jo vetëm të brendshëm të atyre shteteve, por edhe për eksport në vendet e tjera”, është shprehur ai.
Rafuna ka bërë të ditur se Oda Ekonomike e Kosovës u ka kërkuar institucioneve që të ndërmarrin masa fiskale për t’ua lehtësuar barrën bizneseve, përfshirë ndërhyrjen në akcizë dhe Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.
“Kështu që ne me kohë kemi kërkuar, kemi ofruar studim, kemi dorëzuar dokumente të shkruara te Qeveria për ta ndihmuar që të marrë veprime të politikave fiskale, sidomos te normat e tatimit te akcizës ose ta reduktojë, ose ta eliminojë për një kohë të caktuar, apo edhe të tatimit të vlerës së shtuar, për shkak se efekti në buxhetin e shtetit kishte me qenë zero”, ka deklaruar Rafuna.



