Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas kthimit nga SHBA-ja dhe disa vizitave të tjera në Evropë, të enjten ka mbajtur një konferencë për media ku ka dhënë sqarime për deklarimet e saj se Trump e ka ndalur një sulm të Serbisë ndaj Kosovës dhe se kjo ngjarje është e kohëve të fundit. Përveç tjerash, ajo është pyetur edhe për bllokadën politike në vend dhe faktin që vendi është pa institucione të reja që nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.
Osmani ka thënë se si presidente e ka të ndaluar që të negociojë për koalicione të partive politike.
“Nuk është roli i asnjë presidenti të negocioj për koalicione”, ka thënë Osmani.
Duke folur për pyetjet e qytetarëve se pse ajo si presidente nuk po e çon vendin në zgjedhje, Osmani me një buzëqeshje të lehtë, me backgroundin e një juristeje, ka thënë se për një gjë të tillë duhet të plotësohen disa kushte, siç është shpërbërja e Kuvendit apo dështimi për të zgjedhur Qeverinë brenda një afati të caktuar.