Në Austri dhe Gjermani mbizotëron skepticizmi ndaj zgjerimit të Bashkimit Evropian, veçanërisht kur bëhet fjalë për vendet e Ballkanit Perëndimor. Për këtë arsye, Mali i Zi shpreson se mund t’i bashkohet Unionit së bashku me Islandën, citon DW gazetën gjermane FAZ. Shumica e qytetarëve në Gjermani dhe Austri kundërshtojnë zgjerimin e mundshëm të Bashkimit Evropian, shkruan Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ), duke iu referuar një sondazhi të Eurobarometrit të publikuar në shtator 2025. Në nivel të gjithë BE-së, 56 për qind e të anketuarve mbështesin pranimin e anëtarëve të rinj. Megjithatë, në Gjermani dhe Austri, me përkatësisht 49 dhe 45 për qind mbështetje, përkrahësit e zgjerimit janë në pakicë. Në Çeki dhe Francë, vetëm 43 për qind e të anketuarve e mbështesin idenë e pranimit të vendeve të reja.
“Refuzimi lidhet pjesërisht edhe me imazhin e dobët të kandidatëve”, thekson FAZ, duke kujtuar se përveç Turqisë – e cila zyrtarisht ka status kandidati, por prej vitesh nuk luan rol të rëndësishëm në debatet për zgjerimin – vendet e tjera kandidate janë nga Evropa Lindore: gjashtë nga Ballkani Perëndimor, si dhe Moldavia, Ukraina dhe Gjeorgjia, e cila aktualisht nuk konsiderohet një kandidate serioze.
Në tekst theksohet se në të gjitha këto vende, performanca ekonomike është nën mesataren e vendeve aktuale anëtare të BE-së. “Kjo nuk shkakton entuziazëm, sidomos në Austri dhe Gjermani. Kandidatët shpesh perceptohen si vende që marrin më shumë sesa japin. Ky perceptim është i padrejtë, por gjithsesi i pranishëm në opinionin publik”, shkruan FAZ.
Vetëm 15 për qind e duan Serbinë në BE
Shtohet se edhe në “Austrinë skeptike” ekziston mbështetje për zgjerimin e BE-së, por vetëm kur bëhet fjalë për Norvegjinë, me 62 për qind, dhe Islandën, me 57 për qind mbështetje – një situatë e ngjashme është edhe në Gjermani.
“Norvegjia dhe Islanda nuk ngjallin frikë dhe perceptohen si një pasurim i mundshëm për Bashkimin Evropian. Ndërsa çështja e anëtarësimit të Norvegjisë aktualisht nuk është në rend dite, Islanda mund të bëhet së shpejti një kandidate relevante – nëse qytetarët në referendumin e planifikuar për fundin e gushtit vendosin për vazhdimin e negociatave të anëtarësimit, të ndërprera në vitin 2015”, shkruan autori i tekstit, Michael Martens.
Në të njëjtën kohë theksohet se shumica e qytetarëve të BE-së refuzojnë anëtarësimin e vendeve ballkanike dhe atyre të Evropës Lindore. “Vetëm 25 për qind e të anketuarve në Austri mbështesin hyrjen e Bosnje dhe Hercegovinës në BE. Edhe pse kjo është përqindja më e lartë mes të ashtuquajturve ‘të padëshiruar’, ajo mbetet shumë e ulët”, shkruan Martens.
