Një draft-udhëzim i ri i Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës, që synon të zgjerojë qasjen e saj në të dhënat penale të qytetarëve, ka ngritur shqetësime serioze për cenimin e privatësisë, shkeljen e ligjit dhe rrezikun e politizimit të informacioneve të ndjeshme.
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) dhe Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) kanë shprehur rezerva të mëdha ndaj masës, duke paralajmëruar se ajo mund të jetë në kundërshtim me ligjet vendore dhe standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të dhënave personale.
Ministria e Drejtësisë (MD) nuk ka kthyer përgjigje ndaj kërkesave për koment të Radios Evropa e Lirë.
Kritika për “qasje të pakufizuar” Sipas IKD-së, që i ka bërë edhe një analizë këtij draft-udhëzimi, ai i jep Ministrisë së Drejtësisë kompetenca shumë më të gjera sesa ato që parashihen me ligj.
“Ky draft i jep Ministrisë qasje të plotë në Sistemin e Evidencës Penale – duke përfshirë marrjen e dosjeve, kopjimin dhe përpunimin masiv të të dhënave e të tjera – kompetenca që nuk ia njeh Ligji për Sistemin Qendror të Evidencës Penale”, thotë Gëzim Shala nga ky institut.
Sistemi i Evidencës Penaleështë databaza që përmban të dhëna mbi dënimet penale të qytetarëve dhe përdoret kryesisht nga autoritetet gjyqësore dhe të zbatimit të ligjit.
Sipas Ligjit për Sistemin Qendror të Evidencës Penale, ai administrohet nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.
Ligji aktual i lejon Ministrisë qasje të kufizuar në këtë sistem, kryesisht për qëllime të bashkëpunimit ndërkombëtar, si shkëmbimi i të dhënave për personat e dënuar me shtete të tjera, por jo ndërhyrje apo kontroll të drejtpërdrejtë mbi databazën.
Rreziku për privatësinë dhe të drejtat e njeriut Ekspertët theksojnë se të dhënat nga Sistemi i Evidencës Penale klasifikohen si ndër më të ndjeshmet dhe kërkojnë mbrojtje të rreptë ligjore.
Sipas Shalës, drafti bie ndesh jo vetëm me Ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale në Kosovë, por edhe me standardet e vendosura nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Këto standarde janë pjesë e kornizës më të gjerë evropiane për mbrojtjen e privatësisë, të cilën Kosova synon ta ndjekë në kuadër të afrimit me Bashkimin Evropian.
“Ky draft nuk respekton standardet për mbrojtjen e të dhënave të ndjeshme dhe për këtë arsye kemi të bëjmë edhe me shkelje të të drejtave të njeriut, të garantuara edhe me Kushtetutën e Kosovës”, thotë Shala.
Ai paralajmëron edhe për një rrezik tjetër: transferimin e kontrollit mbi këto të dhëna nga sistemi gjyqësor në një institucion ekzekutiv.
“Nëse të dhënat kalojnë nga sistemi gjyqësor në Ministrinë e Drejtësisë – pra, te një institucion ekzekutiv dhe politik – atëherë mund të krijohen dyshime se këto të dhëna, potencialisht, mund të përdoren edhe politikisht, në raport me persona që kanë peshë politike apo peshë publike”, paralajmëron Shala.
Në sistemet demokratike, ndarja ndërmjet pushtetit gjyqësor dhe atij ekzekutiv konsiderohet thelbësore për të parandaluar abuzimin me informacionet e ndjeshme.
Kundërshtime edhe nga sistemi gjyqësor Këshilli Gjyqësor i Kosovës, që administron Sistemin e Evidencës Penale, kundërshton po ashtu qasjen e paraparë në draft.
