Në Gjykatën e Apelit të martën është mbajtur seanca në rastin ndaj ish-ministres së Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, si dhe Fitim Mustafës, Gëzim Dushit dhe Ekrem Tahirit. Gjyqtari referues i lëndës-Mentor Bajraktari tha se Prokuroria Speciale ka kërkuar që rasti të kthehet në rigjykim apo të akuzuarit të shpallen fajtorë, ndërkaq mbrojtja e të akuzuarve ka kërkuar vërtetimin e aktgjykimit lirues të Themelores.
Ish-ministrja Hoxha akuzohej se kishte përdorë kontratën e MIE-së për të promovuar fushatën në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019, përderisa kjo kontratë shërbente për të informuar qytetarët rreth procesit të liberalizimit të vizave. Bashkë me të akuzoheshin Fitim Mustafa, Gëzim Dushi dhe Ekrem Tahiri, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 14 tetor 2024 kishte liruar Hoxhën dhe tre të tjerët nga akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Në seancën e së martës në Apel, gjykatësi Bajraktari tha se Prokuroria Speciale ka paraqitur ankesë për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljes së Ligjit Penal dhe vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, duke propozuar që të akuzuarit të shpallen fajtorë apo rasti të kthehet në rigjykim.
Po ashtu, PSRK-ja ka kërkuar nga Apeli që në rast se çështja kthehet në rivendosje, për gjykim të rastit të caktohet trup tjetër gjykues nga ai që ka gjykuar rastin, e që ishin: Vesel Ismaili-kryetar i trupit gjykues dhe anëtarë- gjykatësit Violeta Namani-Hajra dhe Lutfi Shala.
Kurse, Prokuroria e Apelit ka kërkuar nga Gjykata e Apelit që ankesa e PSRK-së të aprovohet në tërësi si e bazuar.
Prezent në seancë të Gjykatës së Apelit ishte mbrojtësi i Fitim Mustafës, avokati Arbër Jashari, i cili kërkoi që vendimi i Gjykatës Themelore të vërtetohet.
Po ashtu, prezent ishte edhe mbrojtësi i Ekrem Tahirit, avokati Driton Muharremi, i cili tha se me asnjë provë të vetme nuk është vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale. Tha se Prokuroria nuk ka ofruar asnjë provë përkundër që kanë insistuar si mbrojtje nga prokurori t’i prezantojë ato nëse i ka.