Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas debatit të nxitur nga pjesëmarrja e disa shqiptarëve nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut në protestat kundër qeverisë së tij në Tiranë, duke theksuar se nuk e konsideron kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, përgjegjës për veprimet e tyre.
Rama publikoi në rrjetet sociale postimin e një gruaje nga Tetova, e cila kritikonte bashkëkombësit e saj që po marrin pjesë në protestat antiqeveritare në Shqipëri. Duke komentuar mbi këtë çështje, kreu i qeverisë shqiptare tha se shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk janë diasporë e Shqipërisë, por popull shtetformues në shtetin e tyre.
Ai kritikoi ashpër atë që e quajti paraqitje të shqiptarëve nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut si “diasporë” në aktivitete politike në Tiranë, duke pretenduar se organizime të tilla dëmtojnë imazhin e shqiptarëve dhe të Kosovës.
Në reagimin e tij, Rama u ndal veçanërisht te përdorimi i flamurit të UÇK-së në protesta kundër qeverisë shqiptare, duke e cilësuar këtë si një përdhosje të simbolit të luftës çlirimtare.
