Drejtoresha e Qendrës për Punë Sociale (QPS) në Pejë, Shpresa Lukaj, ka deklaruar para Komisionit Hetimor Parlamentar se menaxherja e rastit të Arlinda Zekajt ka pasur monitorime të vazhdueshme, ndërsa ka pranuar se në dokumentacionin e rastit nuk ka pasur plan individual, siç kërkohet me ligj.
Gjatë intervistimit të saj lidhur me veprimet dhe mosveprimet institucionale në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt dhe trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje, Lukaj ka thënë se zyrtarët e QPS-së kanë punuar me formularët që kanë qenë në dispozicion, ndërsa pas të gjeturave do të merren masa.
“Këta formularë, kjo formë e punës vetëm ka qenë, kanë punuar edhe zyrtarët në këto forma, do të marrim masa tash tek të gjeturat”, tha ajo.
E pyetur nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, nëse ishte në dijeni se në rastin konkret nuk kishte pasur plan individual, siç e kërkon ligji, Lukaj u përgjigj:
“Ashtu kanë vepruar ashtu kanë punuar”, tha ajo.
Lukaj tha se asnjëherë nuk ishte takuar drejtpërdrejt me të ndjerën.
“Asnjëherë nuk jam takuar drejtpërdrejt me të ndjerën”, tha ajo.
Ndërkaq, lidhur me ankesën e Arlinda Zekajt ndaj zyrtarëve të QPS-së, të cilën e kishte adresuar pas raportimit të dhunës në familje më 10 korrik, Lukaj tha se institucioni kishte pranuar një ankesë për trajtim të njëanshëm të rastit.
“Kemi pasur një ankesë kur ka qenë me 10 korrik, ankesë për zyrtarin që ka marrë pjesë në rastin e raportimit të dhunës. Sipas saj, ka menduar se i është bërë trajtim i njëanshëm. Ne na është drejtuar, i kemi kthyer përgjigje, e kemi pa të arsyeshme, sepse ka qenë e pabazë”, tha ajo.
Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, e pyeti nëse ishte njoftuar se nuk kishte pasur monitorim të mjaftueshëm të menaxhimit të lëndës nga personi përgjegjës.
“A jeni njoftuar qe nuk ka pasur monitorim të mjaftueshëm të menaxhimit të lëndës nga personi që ka pasur në menaxhim”, pyeti ajo.
Lukaj tha se ka pasur monitorime të vazhdueshme.
“Nuk besoj se ka qenë kjo, menaxherja e rastit ka pasur monitorime të vazhdueshme”, tha ajo.




