Dy javë rresht, qytetarët kanë ngritur zërin nga sheshi “Skënderbeu” në Prishtinë, kundër vendimit dënues ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Organizatori i protestës “Jo në emrin tim!”, Çlirim Haziri tha se qytetarët që morën pjesën për 14 ditë rresht meritojnë respekt të thellë
“Për t’i dalë zot dinjitetit të këtij vendi. Secili prej jush meriton një respekt të thellë”, tha ai.
Pos tjerash, Haziri i bëri thirrje institucioneve që të procedojnë me ligjin për Specialen.
“Kuvendi e bëri lëvizjen e vetë, deputetët e votuan deklaratën e famshme. Kanë menduar se pas atyre rreshtave temperatura do të ulej në këtë shesh. Por a e dini çka është kjo, kjo është thjeshtë një shfaqje teatrale për me e la gojën. Fjalë të radhitura bukur në një letër sa për të thënë ‘ja ne e bëmë tonën, lani duart’. Kjo deklaratë pa ligjin është fiks me na ushqy me një luftë të thatë”, u shpreh Haziri.
“Votoni ligjin”, brohorisnin qytetarët në ndërkohë.