Prokurorja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Elza Bajrami, përdori një gjuhë akuzuese në drejtim të kolegëve të saj të Apelit, ku pretendoi se me tendencë ia kontrolluan vendimet e saj, me qëllim që t’ia pamundësonin që të ishte anëtarë në Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK).
Lidhur me këtë ka reaguar sistemi prokurorial, duke e quajtur si të papërshtatshme gjuhën e përdorur në emisionin e mediumit Betimi për Drejtësi.
“Prokuroria e Apelit, vlerëson se deklarimet e prokurores Bajrami, ku aludohet se Prokuroria e Apelit, “me tendencë ka kontrolluar vendimet e saj me qëllim që t’ia njollosë punën dhe profesionalizmin, për të pamundësuar kandidimin e saj si antare në Këshillin Prokurorial të Kosovës”, janë jo vetëm të pavërteta, por përbëjnë tentim për të krijuar perceptim të rremë publik mbi punën profesionale dhe të pavarur të prokurorëve të Prokurorisë së Apelit”, ka thënë ndër të tjera.
“Po ashtu, përdorimi i një gjuhe të papërshtatshme, ndaj kolegëve gjegjësishtë prokurorëve të Prokurorisë së shkallë e dytë, përbën sjellje të papranueshme për një prokurore të shtetit. Çdo përpjekje për të përfshirë Prokurorinë e Apelit në debate të brendshme të KPK-së, dëmton integritetin e sistemit prokurorial dhe ulë besimin e publikut”, thuhet ndër të tjera në reagim.
Kush është Elza Bajrami?
Njëherë e vlerësuar si prokurorja që doli në mbrojtje të grave të abuzuara nga grupi famëkeq “Albkings”, Elza Bajrami-Kastrati u kthye në qendër të vëmendjes për tjetër arsye. Pas futjes së disa prej anëtarëve të grupit prapa grilave, Bajrami i nxorri ata nga burgu. Me urdhër të saj, gjykata vendosi të lirojë administratorin e grupit, Edin Nevzadi, pas shtatë muajsh prapa hekurave si shkak i marrëveshjes së fajësisë me prokurorinë.
