Mbrojtja e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, është drejt përfundimit të përgatitjeve për njoftimin e apelit ndaj aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Avni Bytyçi nga ekipi mbrojtës i Veselit ka konfirmuar për KosovaPress se njoftimi për apel do të dorëzohet brenda afatit të përcaktuar, më 27 nëntor.
Ai ka bërë të ditur se aktualisht mbrojtja është duke finalizuar dokumentin, në të cilin do të paraqiten bazat juridike dhe faktike të kundërshtimit të aktgjykimit.
“Po, Mbrojtja e z. Kadri Veseli është e gatshme të dorëzojë njoftimin për apel brenda afatit të përcaktuar. Aktualisht, Mbrojtja është në proces të finalizimit të njoftimit për apel, në të cilin do të përcaktohen në mënyrë të qartë dhe të strukturuar bazat juridike dhe faktike mbi të cilat do të mbështetet ankimi”, ka deklaruar Bytyçi.
Nga ekipi mbrojtës kanë kundërshtuar përfundimet e Trupit Gjykues, duke vlerësuar se provat e administruara gjatë procesit nuk dëshmojnë fajësinë e Veselit.
Sipas tyre, gjatë vlerësimit të provave janë bërë gabime, përfshirë edhe konstatimet lidhur me pretendimin për ekzistencën e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale dhe përfshirjen e Veselit në të.

