Në Samitin e radhës të Procesit të Brdo-Brijunit, që është organizuar në Ohër, presidentja Justina Shiroka-Pula ka theksuar se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të përparojnë paralelisht drejt anëtarësimit, mbi bazën e meritave dhe kritereve, pa lënë askënd prapa. Ajo ka kritikuar Brukselin për Forumin e Zgjerimit që është organizuar më 16 nëntor, duke thënë se është paradoksale që Kosovës t’i mohohet përfaqësimi institucional dhe të lejohen mesazhe që cenojnë realitetin e saj shtetëror.
Presidentja Justina Shiroka-Pula i ka kërkuar Bashkimit Evropian të premten që të mos jetë selektiv në procesin e zgjerimit.
Gjatë fjalës së saj në Samitin e radhës të Procesit të Brdo-Brijunit, që është organizuar në Ohër, ajo ka theksuar se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të përparojnë paralelisht drejt anëtarësimit, mbi bazën e meritave dhe kritereve, pa lënë askënd prapa.
“Kosova nuk kërkon privilegj, por barazi, respekt dhe trajtim të drejtë. Për të, integrimi evropian është zgjedhje strategjike dhe orientim i qartë shtetëror. Zvarritja e procesit dhe mungesa e përparimit drejt statusit të vendit kandidat dëmtojnë besimin e qytetarëve në Kosovë dhe në perspektivën evropiane të rajonit. Kosova i ka përmbushur përgjegjësitë e saj dhe pret integrim mbi bazën e meritave dhe kritereve të barabarta”, ka thënë presidentja Shiroka-Pula.
Ajo ka theksuar se bashkëpunimi rajonal kërkon respekt, barazi, përgjegjësi dhe, para së gjithash, besim të ndërsjellë.
“Të jemi të barabartë në mesin e të barabartëve është dëshmi e respektit ndërmjet shteteve dhe popujve”, ka thënë presidentja, e cila ka rikujtuar se në Forumin e Zgjerimit të Bashkimit Evropian, më 16 nëntor në Bruksel, u diskutua e ardhmja evropiane e rajonit, por Kosova nuk u ftua.
“Në të njëjtën ngjarje u interpretua një këngë nacionaliste që vë në pikëpyetje shtetësinë dhe integritetin territorial të Kosovës. Është paradoksale që, në një aktivitet kushtuar zgjerimit dhe vlerave evropiane, Kosovës t’i mohohet përfaqësimi institucional dhe të lejohen mesazhe që cenojnë realitetin e saj shtetëror”, ka thënë presidentja Shiroka-Pula. “BE-ja nuk mund të ndërtojë unitet duke toleruar simbole dhe praktika që nxisin ndarje, por as të mjaftohet me një distancim formal”.
Ajo ka thënë se një Ballkan Perëndimor më i integruar është një Evropë më e fortë dhe ka thënë se procesi duhet të ndihet edhe në jetën e përditshme.
“Heqja e tarifave të roamingut ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor do të jetë hap konkret drejt komunikimit më të lehtë mes njerëzve dhe bizneseve”, ka thënë presidentja. “Duhet të përparojmë më shpejt edhe në integrimin ekonomik rajonal. Plani i Rritjes ofron mundësi për reforma, investime dhe vende të reja pune, me trajtim të barabartë për të gjitha vendet”.
Ajo ka folur edhe për ndryshimin e kontekstit global të sigurisë, duke vënë theksin tek agresioni rus në Ukrainë, për të cilin ka thënë se ka shtuar nevojën për gatishmëri parandaluese dhe vepruese.




