Ismail Tasholli nga platforma “Liria ka Emër” ka deklaruar se Kuvendi i Kosovës duhet ta shqyrtojë mundësinë e zhbërjes së marrëveshjes së vitit 2014, përmes së cilës ishte zotuar për krijimin e Gjykatës Speciale.
Tasholli tha se frika nuk duhet të jetë pengesë për të kërkuar drejtësi dhe se, sipas tij, marrëveshja e vitit 2014 ka humbur bazën e mirëbesimit mbi të cilën ishte arritur.
“Frika është njerëzore, por nuk duhet të frikësohemi prej të drejtës dhe as prej mënyrës se si po e ndërtojmë artikulimin publik. Ndoshta Kuvendi i Kosovës duhet ta shqyrtojë zhbërjen e marrëveshjes së vitit 2014, të nënshkruar nga Jahjaga dhe Ashton. Pse jo? Çfarë bëhet, zhbëhet. Nëse ata e kanë ndarë mendjen t’i flijojnë ata atje, për shkak se Rusia dhe viktimat e BE-së po kërkojnë t’i dënojnë ata, dhe nuk kanë asnjë shqetësim për një verdikt apriori, të paralajmëruar përmes e-maileve, siç është rasti me atë Smithin tjetër, i cili thotë se Hashim Thaçi dhe të tjerët do të dënohen përjetësisht ende pa filluar gjykimi, atëherë marrëveshjet kanë raport përgjegjësie nëse duan të jenë të vlefshme. Nuk mund të jetë një marrëveshje e njëanshme", ka deklaruar Tasholli.



