Presidenca e Kosovës ka shpallur tender të ri për hartimin e planit të fizibilitetit për ndërtimin e objektit të Presidencës së Republikës së Kosovës.
Ndryshe prej tenderit të kaluar për të njëjtën çështje, që e anuloi, kësaj radhe janë larguar nga plani ideor disa nga hapësirat që mund të konsiderohen si më luksoze.
Ndryshe prej planit ideor në tenderin e kaluar, në dosjen e tenderit të ri janë larguar, për shembull: Salla e Ballos, Suita e Gjumit, Dhoma Private e Familjes për Qëndrim të Përbashkët; Dhoma Private për Ushqim / Darkë Familjare; Dhoma Private e Studimit / Leximit; Kopshti dhe Oborri Privat.
Për tenderin që Presidenca si autoritet kontraktues e anuloi më 29.07.2025, në ditën kur u bënë të ditur tre operatorët ekonomikë që aplikuan për këtë tender, më 24.07.2025, Presidenca e Kosovës njoftoi se presidentja Vjosa Osmani nuk e ka miratuar planin ideor për objektin dhe se ky plan do të revidohet.
Njoftimi për tenderin e ri është publikuar më 21.08.2025, në bazë të të dhënave në e-Prokurimi. Tenderët, sipas Zyrës së Presidentes, duhet të dorëzohen para orës 14:00 të datës 02.09.2025.
Vlera e parashikuar është sërish 25 mijë euro, njësoj si herën e kaluar. Afati i paraparë për përfundimin e projektit të studimit të fizibilitetit është 3 muaj.
Në bazë të dosjes së tenderit, qëllimi i këtij projekti është të analizojë aspektet teknike, ato të sigurisë, ekonomike, mjedisore dhe funksionale të realizueshmërisë së ndërtimit të objektit të Presidencës, në përputhje me nevojat institucionale, standardet moderne të ndërtimit dhe vizionin urbanistik të Prishtinës së Re.
Në këtë tender nga operatorët ekonomikë që do të aplikojnë është kërkuar analizë të lokacionit dhe planifikimit hapësinor; vlerësim i përgjithshëm i lokacionit të propozuar dhe infrastrukturës ekzistuese; propozim për shfrytëzim racional të hapësirës, duke përfshirë: ndërtesën qendrore të Presidencës/ Objektin/, dhe hapësirat përcjellëse të objektit qendror dhe administrativ.
Në pikën numër 2, është kërkuar analizë e aspekteve teknike, të sigurisë, ekonomike, mjedisore dhe funksionale të realizueshmërisë së konceptit të organizimit funksional të objektit/ndërtesës qendrore dhe atyre përcjellëse.
Sipas dosjes së tenderit, strukturimi i zonave funksionale, që parashihen të përfshihen: hapësira e punës së Presidentit/es; Zyra për takime zyrtare protokollare e Presidentit/es; Zyra për takime tête-à-tête; Hapësirat për ceremonial (salla e pritjes, dhoma e kredencialeve, salla për media dhe konferenca shtypi, etj); Hapësira të punës (zyra) për stafin e kabinetit të Presidentit/es; Sallë për takime pune të Kabinetit; Hapësira të punës (zyra) për stafin e Administratës së Zyrës së Presidentit/es; Sallë për takime pune të stafit administrativ; Hapësira (sallë) për organizimin e pritjeve shtetërore (Ceremoni të dekorimit, ceremoni të gradimit, ceremoni të betimit); Hapësirë për Bibliotekën Presidenciale; Hapësirat të dedikuara për shërbime mbështetëse (protokoll, siguri, logjistikë, transport dhe teknologji).
Përveç këtyre është parashikuar edhe Zonë – hapësirë funksionale në ambient të jashtëm për pritje ceremoniale shtetërore dhe parakalime ushtarake me qasje për eskorta zyrtare të personaliteteve nga vendet mike; hapësirë e dedikuar për gjelbërim dhe mbjellje të drunjëve dhe qasje për hyrje-dalje dhe hapësirë parkingu për nevoja zyrtare.
Në pikën tre është kërkuar analizë e aspekteve arkitektonike, të sigurisë dhe të energjisë që ndërlidhen me: dizajnin e idesë fillestare të projektit arkitektonik të jashtëm dhe të brendshëm; çështje të energjisë përfshirë edhe atë të ripërtërishme dhe efiçiencë energjetike; dhe, çështje të sigurisë (pikat e kontrollit, qasja, monitorimi).
