Aktivitetet policore për mbarëvajtjen të procesit zgjedhor, gjatë ‘Zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës’, konkretisht gjatë votimeve të ditës së sotme, janë realizuar sipas planifikimeve të parapara, njofton policia.
“Zbatimi i planit policor, bashkëpunimi dhe koordinimi ndërinstitucional ka ndikuar në mënyrë pozitive që i tërë procesi zgjedhor të kalojë i qetë dhe pa ndonjë incident madhor që do të kishte penguar apo cenuar procesin zgjedhor, andaj në aspektin e sigurisë vlerësohet se procesi zgjedhor ka kaluar i qetë dhe pa incidente serioze”, vlerëson PK.
Gjithashtu, Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë e Shtetit, lidhur me procesin zgjedhor, “sot ka iniciuar 5 (pesë) raste penale si; ‘ Cenimi i fshehtësisë së votimit’ , ‘ Cenim i përcaktimit të lirë të votuesve’, ´Pengim i procesit të votimit´ dhe ‘ Asgjësimi i dokumenteve të votimit’ , ku personat e përfshirë në raste me vendim të prokurorëve kompetent janë liruar në procedurë të rregullt. Janë trajtuar 30 (tridhjetë) informata dhe në 5 (pesë) raste janë evidentuar me ‘shënim zyrtar’”.
