Policia e Kosovës ka riafirmuar përkushtimin për zbardhjen dhe hetimin e krimeve të luftës, duke theksuar se procesi për identifikimin dhe ndjekjen penale të përgjegjësve do të vazhdojë edhe pas më shumë se dy dekadash nga përfundimi i luftës.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, së bashku me prokurorin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Ilir Morina, Drejtorin e Departamentit të Hetimeve, Agron Nezaj, dhe Drejtorin e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, Bashkim Spahiu, kanë vizituar fshatrat Abri e Epërme dhe Poklek i Vjetër në Drenas, vende ku gjatë luftës u kryen disa prej masakrave më të rënda ndaj civilëve shqiptarë.
Sipas Policisë, në këto dy lokalitete forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe vranë 82 civilë të pafajshëm, përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar. Nga viktimat, 23 u vranë në Abri të Epërme, ndërsa 59 në Poklek të Vjetër.
Gjatë vizitës, përfaqësuesit institucionalë janë takuar me familjarët e viktimave, Imer Deliu dhe Fadil Muqolli, të cilët kanë ndarë dëshmi dhe rrëfime për ngjarjet tragjike të luftës.
Drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, së bashku me përfaqësuesit tjerë, ka shprehur solidaritet me familjet e viktimave dhe ka theksuar se institucionet do të vazhdojnë punën për dokumentimin e krimeve dhe vënien para drejtësisë të personave përgjegjës.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale dhe institucionet tjera kompetente, do të vazhdojë hetimet për krimet e luftës, duke trajtuar me seriozitet çdo dëshmi dhe informacion që mund të kontribuojë në zbardhjen e rasteve.
“Ruajtja e kujtesës për viktimat, mbështetja për familjet e tyre dhe vendosja e drejtësisë mbeten obligim institucional dhe moral i Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e Policisë.
Njoftimi i plotë:
