Nxënësit 15-vjeçarë në Shqipëri vijojnë të mbeten dukshëm pas mesatares së vendeve të OECD-së në aftësitë bazë, ndonëse rezultatet e PISA 2025 e pozicionojnë vendin më mirë se disa prej ekonomive të Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në matematikë dhe shkencë.
Sipas raportit më të fundit “PISA 2025”, publikuar nga OECD, Shqipëria mori mesatarisht 435 pikë në shkencë, 408 pikë në lexim dhe 433 pikë në matematikë. Për krahasim, mesatarja e OECD-së ishte përkatësisht 482, 461 dhe 463 pikë. Diferenca e Shqipërisë me OECD-në arrin në 47 pikë në shkencë, 53 pikë në lexim dhe 30 pikë në matematikë.
PISA 2025 përfshiu më shumë se 760 mijë nxënës 15-vjeçarë, që përfaqësojnë rreth 33 milionë të rinj në 91 vende dhe ekonomi. Shkenca ishte fusha kryesore e testimit, krahas leximit, matematikës dhe një vlerësimi të ri për të nxënit në botën digjitale. Në tërësi, OECD konstaton se pas rënies së fortë të rezultateve në vitin 2022, performanca në shumë vende ka ngecur ose ka vijuar të dobësohet.
Shqipëria kryeson Ballkanin Perëndimor në matematikë
Në krahasimin me vendet e Ballkanit Perëndimor që morën pjesë në PISA 2025, Shqipëria paraqitet relativisht më mirë, sidomos në matematikë.
Me 433 pikë në matematikë, Shqipëria ka rezultatin më të lartë mes vendeve pjesëmarrëse të Ballkanit Perëndimor. Serbia mori 417 pikë, Mali i Zi 411, Maqedonia e Veriut 380 dhe Kosova 350 pikë. Bosnja dhe Hercegovina nuk figuron mes pjesëmarrësve në PISA 2025.
Edhe në shkencë, Shqipëria është në krye të këtij grupi, me 435 pikë, po aq sa Mali i Zi. Serbia kishte 429 pikë, ndërsa diferenca zgjerohet ndjeshëm me Maqedoninë e Veriut, me 378 pikë, dhe Kosovën, me 357 pikë.
Pamja ndryshon në lexim. Mali i Zi, me 418 pikë, dhe Serbia, me 415 pikë, rezultojnë më mirë se Shqipëria, e cila mori 408 pikë. Pas saj renditen Maqedonia e Veriut me 357 dhe Kosova me 340 pikë.
Nëse krahasimi zgjerohet edhe me vendet e tjera të rajonit, diferencat bëhen më të dukshme. Kroacia mori 476 pikë në shkencë, 453 në lexim dhe 455 në matematikë, ndërsa Sllovenia 484, 445 dhe 460 pikë. Greqia ishte shumë pranë Shqipërisë në shkencë, me 434 pikë, por më lart në lexim, me 423 pikë; në matematikë, Shqipëria kishte 9 pikë më shumë se Greqia.
Një tjetër tregues që evidenton hendekun me sistemet më të zhvilluara është pesha e nxënësve me rezultate shumë të larta dhe shumë të ulëta. Vetëm 1.9% e nxënësve shqiptarë rezultuan ndër performuesit më të mirë në të paktën një nga tri fushat kryesore, kundrejt 11.9% mesatarisht në OECD. Ndërkohë, 27.8% e nxënësve shqiptarë rezultuan nën nivelin bazë 2 në të tre fushat, kundrejt 19.7% në OECD.
Vajzat më mirë në shkencë dhe lexim, djemtë lehtë përpara në matematikë
Rezultatet tregojnë edhe diferenca të forta gjinore. Vajzat shqiptare morën mesatarisht 443 pikë në shkencë, kundrejt 426 pikëve të djemve, një diferencë prej 17 pikësh.


