Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku tha se po punohet në strategjinë e re të arsimit për t’i adresuar rezultatet e dobëta të testit të PISA.
Çeku iu përgjigj pyetjes së deputetes së LDK-së, Jehona Lushaku Sadriu e cila e pyeti lidhur me masat që ka marrë MASh për të adresuar këto defekte që i pasqyroi testimi i PISA 2025.
“Duke nisur nga rezultatet e dobëta të tesit PISA të vitit 2025, meqë rast janë publikuar sivjet, me shumë shqetësim po e pyes ministrin se çfarë masa ka marrë të menjëhershme që sistemi arsimor t’i adresojë këto defekte”, tha Lushaku Sadriu.
Çeku tha se ministria që ai drejton po bën strategjinë e reformës së ardhshme 10 vjeçare në sektorin e arsimit në bashkëpunim me sindikatat, këshillat e prindërve, nxënësve dhe studentëve si dhe kolegjiumet e DKA-së, institucioneve parashkollore dhe parlamentet studentore.
“Siç e dini edhe ju zhvillimi dhe përmirësimi i shkathtësive të nxënësve në lexim-kuptim, matematikë dhe shkenca është proces afatgjatë që kërkon ndërhyrje në dy nivele, në atë sistemik dhe në atë të ndërhyrjeve të shpejta. Sa i përket qasjeve sistemike aktualisht jemi në fazën e përparuar të strategjisë së re të arsimit ku po bëhet planifikimi strategjik i reformës së ardhshme 10 vjeçare në sektorin e arsimit. Krahas mobilizimit të ekspertizës më të mirë vendore, po sigurohemi për gjithëpërfshirje, strategjinë po e hartojmë bashkë me Sindikatën e Arsimit, Kolegjiumin e DKA-ave, Këshillin e Prindërve, Konferencën e Rektorëve, Kolegjiumin e Institucioneve Parashkollore, Parlamentet Studentore dhe Këshillat e Nxënësve...”, tha fillimisht ai.
Ai tha se ky program pritet të finalizohet në javët në vijim.
“Paralelisht jemi duke punuar në disa hapa konkret: Rishikimi i kornizës korrikulare, rishikimi total i regjimit aktual të teksteve shkollore, digjitalizimi i procesit mësimor. Në veçanti jemi duke hartuar programin kombëtar për lexim dhe matematik. Ky program synon të adresojë sfidat në shkathtësitë përkatëse të cilat dalin edhe nga analiza e rezultateve të testit PISA 2025. Besoj që programin do ta finalizojmë në javët në vijim”, tha ai.