Propozimi për shkarkimin e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi ka nxitur përplasje në mbledhjen e sotme të Këshillit Prokurorial të Kosovës, mes Kelmendit dhe zëvendëskryesues së KPK-së, Jehona Grantolli.
Kelmendi tha se shkarkimi i tij po synohet të bëhet për të mbajtur të kapur, siç tha ai Sistemin Prokurorial të Kosovës nga grupe dhe individë të caktuar.
“Ju lutem, çdo gjë për këtë plan të tmerrshëm të një grupi për interes të një individi që e kam përkrahë vazhdimisht, është e turpshme, joligjore dhe kundër etikës. Kurrë në jetë skam apliku për pozitën e kryeprokurorit, dhe nuk asnjë synim të aplikoj në atë pozitë. Duke e pa këtë lojë për të kapur sistemin, për ta mbajtur të kapur nga grupe dhe individë të caktuar, kam vendosur të jem deri në fund me gjithë fuqinë që kam unë në aspektin ligjor dhe kushtetues të ju them jo këtyre njerëzve që duan ta shkatërrojnë Sistemin Prokurorial të Kosovës. Duke e pa këtë plan, kam vendosur që të qëndroj stoik deri në fund për ta mbrojtur Sistemin Prokurorial dhe Prokurorinë e Kosovës”, tha Kelmendi.
