Ka dështuar sot seanca gjyqësore e cila parashihej të mbahej ndaj ministres në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdar, Irfan Lipovicës, Hafiz Garës e Ridvan Muharremit, rreth skandalit me rezervën shtetërore. Shtyerja e seancës erdhi pasi në sallë mungoi e dyshuares kryesore, ministrja Hajradi, raporton Gazeta Demos.
Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë më 11 nëntor ndaj Ministres Rozeta Hajdari, Irfan Lipovicës, Hafiz Garës dhe Ridvan Muharremit nën akuzat për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, ndërsa Muharremi për veprën “Ndihma në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Rreth këtyre shkeljeve pati sinjalizuar zyrtari në Ministrinë e Tregtisë, Ermal Kutllovci, i cili pasi raportoi institucionet hetuese rreth dyshimeve për shkeljet e lartëcekura, në janar të vitit të kaluar, u lirua nga puna me vendim të MINT-it, për t’u rikthyer sërish me pas ankesës së tij.
Ai teksa vazhdimisht ka deklaruar të gjeturat e tij rreth këtij rasti, para një viti në një intervistë në “Pressing” pati folur edhe për përplasjen verbale me ministren Hajdari para se të largohej nga puna.
“Në një moment ma thotë që të keni kujdes të mos barten informacione në publik etj, sepse ju pret dënimi 8-5 vjet, na tregon edhe procedurat e Kodit Penal. Si duket dyshimi ishte te unë sepse une isha i vetmi person që se kisha nënshkru asnjë letër dhe nga ky takim e kërkoj fjalën parimisht nga drejtori i departamentit, me lejen e tij, më është dhënë fjala, dhe në momentin që më jepet fjala dhe tentoj të filloj komunikimin profesional, ministrja Hajdari më kthehet duke më thënë mbylle gojën, mendimi juaj nuk më intereson, kur unë jam këtu ti nuk flet”.
“Pa dyshim një të drejtë të cilën ma jep akti më i lartë juridik i këtij vendi, Kushtetuta e Republikës. Unë i them ministre procedura e zhvilluar në vitin 2022 e cila është zhvilluar në mënyrë sekrete bie ndesh me ligjin. Ligji e rregullon procedurën e prokurimit si procedurë të hapur dhe ky deklarim i imi e nervozi tej mase ministren, saqë në prezencë të të gjithve i drejtohet sekretarit të përgjithshëm dhe e kërkon inicimin e procedurës disiplinore ndaj meje. I jep urdhër politik”, pati deklaruar Kutllovci.
