“Drenica i dha Fehmi Lladrovcit kuptimin e qëndresës, familja i dha mbrojtjen, lufta i dha emrin”, tha kryetari i Prishtinës, Përpara Rama, në ceremoninë përkujtimore me rastin e ditëlindjes së 70-të dhe 71-të të Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit, që u mbajt në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë nën patronatin e Komunës së Prishtinës. Kjo ceremoni u mbajt nën patronatin e kryetarit të Prishtinës.
“Drenica herët i dha atij kuptimin e qëndresës, familja i dha mbrojtjen, shkolla i dha formimin, lëvizja i dha drejtimin, burgu – provën, kurse lufta… lufta i dha emrin. Fehmiu studioi, u formua si intelektual, si atdhetar, si njeri. U përfshi në lëvizje, veproi në ilegalitet, u vu në shënjestër të regjimit jugosllav, u burgos dhe u dënua me 10 vjet burg. Kaloi nëpër qelitë e Prishtinës, të Gjilanit, Lepogllavës e të Stara Gradishkës”, tha Rama.
I pranishëm ishte edhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, i cili përkujtoi sakrificën e heronjve duke thënë se pa gjakun e tyre, nuk do ta kishim lirinë.
“Një kënaqësi të jashtëzakonshme kur e dëgjova kryetarin e Prishtinës që ligjëron mbi tabanë e fëmijëve të Jasharëve. Pa gjakun e fëmijëve të Jasharëve… pa gjakun e Luan Haradinajt, Adrian Krasniqit, pa gjakun e Afrim Zhitisë e Fahri Fazliut, pa gjakun e Rexhep Malës, tërë jetën nëpër burgje e Nuhi Berishës, Kosova dhe ne shqiptarët në tërësi nuk do ishim këto përvjetore”, tha Ahmeti.
Ndërsa, ish- kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj tha se qëllimi i UÇK-së është një rrugëtim i veçantë se si heronjtë tanë ia kushtuan jetën çlirimit të atdheut.
“Qëllimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është shumë i qartë. Është një rrugëtim i veçantë dhe, përtej kësaj, është i veçantë jo vetëm për shkak të qëllimit të popullit tonë për çlirim, por edhe mënyra se si ata ia kushtuan jetën e vet çlirimit të atdheut.
Prandaj, pranvera ose fillimi i vitit ’97 ishte tragjike, ishte e dhimbshme për UÇK-në. UÇK-ja mori disa goditje, edhe priteshin goditje të reja. Kishhte një rrezik, pra, që ato sulme ndaj UÇK-së, , burgosjet, të vazhdonin edhe me pasoja më të mëdha. Ndihej rreziku që sulmi i radhës mund të jetë në Prekaz”, u shpreh ai.
Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, vëllai i Fehmi Lladrovcit, falënderoi të gjithë ata që ia mësuan atdhedashurinë.
