Drejtoresha e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, u kthye mbrëmjen e së martës në Shqipëri dhe iu dorëzua autoriteteve, pasi Gjykata e Posaçme kishte caktuar ndaj saj masën e “arrestit në shtëpi” dhe pezullimit nga detyra.
Hyseni ndodhej në Baku të Azerbajxhanit, ku kishte marrë pjesë në një forum ndërkombëtar për luftën kundër terrorizmit. Pas njoftimit të SPAK-ut për masën e sigurisë, ajo u kthye në Prishtinë dhe më pas, në pikën kufitare të Morinës, iu dorëzua autoriteteve shqiptare. Ajo u shoqërua drejt Tiranës për ekzekutimin e masës së arrestit në shtëpi.
SPAK e ka vënë Hysenin nën hetim për veprat penale të “përkrahjes së autorit të krimit” dhe “zbulimit të akteve ose të dhënave sekrete”. Sipas prokurorisë, hetimi lidhet me dosjen e biznesmenit Ergys Agasi dhe dyshimet se informacione sekrete mund të jenë përdorur për ta ndihmuar atë t’i shmangej autoriteteve.
Hetimet e SPAK janë zgjeruar pas materialeve të sekuestruara nga telefonat dhe ambientet e lidhura me Agasin dhe ish-zyrtarin e policisë Uljan Shpataraku. Sipas raportimeve, këto materiale kanë çuar hetuesit edhe te persona të tjerë në polici dhe në institucione të tjera.
