Institucionet e Kosovës bënë të ditur se ka përfunduar gërmimi në tri lokacione në zonën e Kalludrës dhe Jabukës në Zubin Potok, ku janë gjetur mbetje mortore që dyshohet se mund të lidhen me fatin e 23 personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, të njohur si “Grupi i intelektualëve”.
Deri tani, të paktën 10 mbetje kockore janë dërguar në laboratorin e ADN-së në Hagë, ndërsa identifikimi përfundimtar pritet të bëhet pas përfundimit të të gjitha ekzaminimeve mjekoligjore dhe analizave të ADN-së.
Ministri në detyrë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, tha se familjarët tashmë janë më afër së vërtetës dhe drejtësisë, por kërkoi durim deri në përfundimin e të gjitha procedurave.
“Janë familjarët e 23 personave të zhdukur apo grupit të çka quhet grupi i intelektualëve apo grupi Ademi Ademit”. Dhe sot pak e ndjej, sepse jam vetë familjar, që është një ditë shumë e rëndë për ta. Por unë nuk di t’ju drejtohem juve, por atyre që duhet të gjejnë forcën, sepse së paku janë shumë më afër të vërtetës sot sesa që kanë qenë më herët. Por edhe më afër të drejtës, të drejtësisë. Ju e dini që deri më tash janë arrestuar katër potencialisht kriminelë serbë që kanë marrë pjesë në ato krime këtu. Uroj që të gjejnë forcën që të përballojnë këtë dhimbje. E dimë që ka edhe mbi 1500 familje që vazhdojnë me pritë fatin e më të dashurve të tyre, këtu përfshirë edhe mua personalisht.
Siç e tha prokurorja, unë e kam thënë disa herë në media, familjarët nuk duhet të jenë të shqetësuar sepse është një proces që merr kohë deri në identifikimin e saktë të këtyre personave. Kjo nënkupton që mostrat të cilat tash janë dërguar çe dy-tre ditë të trupave që janë gjetur në këtë lokacion do të dërgohen në Hagë, në laboratorin e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, kështu që dhe bëhet krahasimi i këtyre me gjakun që e keni dhënë ju tash e 20 e sa vite, dhe pastaj tek pastaj del identifikimi i saktë dhe vetëm tek pastaj mund të konkludojmë saktë që bëhet fjalë për ata persona, pavarësisht që informacionet të gjitha kanë qenë për ata që janë këtu. Duhet të jeni të fortë.”, tha Hoti.
Hoti tha se procesi i identifikimit përmes ADN-së është i domosdoshëm për të konfirmuar nëse mbetjet mortore u përkasin 23 personave të zhdukur, ndërsa kritikoi Serbinë për, siç tha, mosbashkëpunim në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.
“Ende kemi punë shumë, sepse fatkeqësisht kemi punë me një shtet që ka mendësi kriminale. Nuk është që e ka pasur në vitet ’90 vetëm, por e ka edhe sot. Shteti serb, ju siç e dini edhe sot, mos me shkua më larg se sot, po tentojnë të varrosin me nderime të larta shtetërore kryekriminelin serb që ka bërë krime në Bosnje Hercegovina, Mlladiq. Kjo nënkupton që ata ende sot e kanë një mendësi të tillë kriminale. Ata nuk e pranojnë as fajin, as krimet që i kanë bërë, as gjenocidin që e kanë bërë ndaj neve dhe Bosnjës e Kroacisë. Ende sot kanë të njëjtën mendësi. Prandaj ne e kemi goxha të vështirë përballjen me ta edhe në raport me fatin e personave të zhdukur. E dini që disa vite kemi marrë pjesë në bisedime në Bruksel edhe siç shihni në vende të tjera, por informacionet që ata duhet t’i japin, të cilat i kanë, të cilat ne po vazhdojmë me iu kërku përmes arkivave të tyre të klasifikuara, vazhdojnë me i mbajtë të hekurta në sirtarët e tyre dhe jo t’i shpërndajnë apo t’i japin për të zbardhur më tutje fatin e personave të zhdukur”, deklaroi ai.
Prokurorja Florije Shamolli tha se rastin e 23 personave të zhdukur është duke e trajtuar prej shtatë vitesh dhe se provat e mbledhura deri tani i çojnë hetimet drejt tyre, por identifikimi nuk mund të konfirmohet pa rezultatet e ADN-së.
“Një gjë duhet ta dimë: dyshimet, të gjitha provat të cilat ne i kemi na dërgojnë tek zhdukja e 23 intelektualëve apo të quajtur doktorët. Mirëpo për të ardhur deri te rezultati final duhet të kemi durim, duhet të bëhet ADN-ja e saktë. Pa ADN-në, ne dyshimet të gjitha na dërgojnë aty, të gjitha provat na dërgojnë aty. Mirëpo, duhet të presim edhe pak kohë deri të vijnë të gjitha ekspertizat, për shkak se duhet të konstatohet ADN-ja, duhet të konstatohet shkaku i vdekjes, mbetjet mortore, domethënë një numër ekspertizash. Unë e shfrytëzoj rastin, kam pasur planifikim që të gjithë familjarët e këtij rasti t’i thërras në zyrën time dhe të vijnë. Ata do ta kenë derën e hapur në çdo kohë. Për çdo informacion të cilin prokuroria e posedon në lidhje me këtë rast, brenda kompetencave për sa i përket që të kenë njohuri familjarët, në çdo kohë, në çdo orë mund të drejtohen në zyrën time. Ju lutem familjarë, këto janë raste të ndjeshme. Mos bini pre e informacioneve të ndryshme. Informacionin zyrtar ejani dhe kërkojeni në zyrën time. Unë do të jam aty deri në momentin e fundit, deri te rezultati final. Se si do të vijë deri te momenti, t’ju informoj: janë tre persona nën paraburgim, të dyshuar. Mirëpo duhen edhe prova të tjera. Sigurisht, në qoftë se vijmë deri te ngritja e aktakuzës, atëherë gjykimi do të jetë publik dhe do të keni mundësi të gjithë ta përcillni atë rast”, tha Shamolli.
Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Agron Limani, tha se zbulimi i varrezave masive është rezultat i një pune disavjeçare të institucioneve të Kosovës.



