Prindon Sadriu përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka pershkruar rrugëtimin e Vjosa Osmanit si presidente e vendit duke then se ti i dhe Kosovës një pamje që nuk e kishte pasur kurrë më parë; dinjitoze, sovrane dhe krenare me vetveten.
Postimi i plotë:
Sot, teksa mandatit yt i parë si Presidente e Kosovës ka përfunduar, e gjej veten të sfiduar, duke kërkuar fjalë që të jenë të denja për gjithat që i ke dhënë shtetit tonë, botës dhe natyrshëm edhe familjes sonë. Vërtetë, nuk ka fjalë që mjaftojnë të shkruhen. Por, përkundër kësaj, ti e meriton një përpjekje. Gjithmonë e ke merituar.
Ti nuk e mbajte thjesht postin më të lartë të shtetit, atë të Kreut të Shtetit. Ti e mbushe atë me plot kuptim. E transformove rrënjësisht atë. Hyre si lidere dhe po del si frymëzim. Çdo sfidë që të është vënë përpara, dhe kanë qenë të shumta, e përballove jo me hezitim, por me atë zjarr të qetë e të pathyeshëm që të ka përkufizuar gjithmonë. Çdo pengesë e ngritur me qëllim në rrugën tënde nga ata që dyshuan, që të patën frikën e suksesit (e ende e kanë), që shpresuan të të ndalnin—ti e shndërrove në një hap drejt suksesit. Nuk u përkule kurrë. Nuk u tërhoqe kurrë. Thjesht vazhdove përpara, sepse Kosova kishte shumë nevojë për ty.
Të kam parë, njejtë si çdo qytetarë tjetër, teksa qëndroje në foltoren e Parlamentit Evropian, duke e dominuar atë sallë me prezencën tënde. Kemi parë teksa ngriheshin në këmbë të gjithë anëtarët e parlamentit evropian me duartrokitje frenetike për ty, për Kosovën. Të kemi parë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në atë skenë kaq të fuqishme, krah grave që kishin përjetuar tmerrin, dhe ti bëre që bota të ndalet e të dëgjojë. Përballë teje, ai që kërkonte të të mposhte u ndje i turpëruar, i vogël dhe i zhveshur nga çdo justifikim. Si çdo herë tjetër që është përballë me ty. Sepse kur flet ti, njerëzit afrohen për të dëgjuar. Gjithmonë. Në dhoma të mbushura me figurat më të fuqishme të botës, në institucione që kanë dëgjuar zërat e mëdhenj të historisë, ishte ti ajo që donin të dëgjonin. Kërkonin praninë tënde, qartësinë e mendimit tënd, mençurinë dhe elokuencën tënde, por dhe guximin tënd për të thënë atë që të tjerët nuk e thoshin.
Vjosë, emri yt nuk është thjesht më një emër. Është një markë dhe një brend i njohur në të gjitha kontinentet. Është një zë i kërkuar në skenat më të mëdha të politikës botërore. Është një simbol që politikanët, konferencat e mëdha dhe samitet ndërkombëtare e kërkojnë me vetëdije, sepse e dinë që aty ku flet ti, thuhet e vërteta. Dhe kjo nuk është gjë e vogël. Është diçka e rrallë dhe e jashtëzakonshme për një shtet e një komb të vogël si Kosova e shqiptarët.
Ti i dhe Kosovës një pamje që nuk e kishte pasur kurrë më parë; dinjitoze, sovrane dhe krenare me vetveten. Besnike ndaj miqve dhe aleatëve, por mbi të gjitha, e palëkundur në mbrojtje të interesave të shtetit tënd. I tregove botës një Kosovë e cila mund të ulet në çdo tryezë, të flasë në çdo forum, të sfidojë çdo narrativë dhe të qëndrojë me kokën lart mes kombeve më të mëdha e më të fuqishme. Thellove aleancat, mbi të gjitha me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët tanë të çmuar, jo vetëm përmes politikës së jashtme të cilën e udhëhoqe plot dinjitet, por përmes forcës së karakterit tënd. Njerëzit të besuan. I besuan fjalës tënde, integritetit tënd dhe vizionit të palëkundur për atë që Kosova mund dhe duhet të bëhet.
Por, ti kurrë nuk lejove asnjëherë që pushteti të bëhej qëllim në vetvete. Nuk harrove kurrë pse ishe aty, në Krye të Shtetit. Ishe për qytetarët — gjithmonë për ta. Ishe edhe për të margjinalizuarit. Të harruarit. Komunitetet e lëna në hije në skajet e shoqërisë. Të cenueshmit, ata zëra që shpesh anashkalohen. Ti ishe edhe Presidentja e tyre, plotësisht, sinqerisht dhe pa kushte. Dhe ata e dinin. E ndjenin, ashtu siç ndihet vetëm e vërteta.
Dhe për çdo vajzë të re në Kosovë që të pa në ato skena të mëdha, në atë detyrë të lartë, që për herë të parë guxoi t’i thotë vetes “ndoshta mundem edhe unë, si Vjosa”, ti mund të mos e kuptosh kurrë plotësisht sa shumë u ke dhënë: guximin, vetëbesimin dhe mundësinë për të ëndërruar më larg e më lart, deri aty ku dikur gjithçka dukej e pamundur. Ti theve barriera jo me fjalë, por me vepra; jo me zhurmë, por me përkushtim e vetëmohim, ditë pas dite, vit pas viti. I dëshmove çdo gruaje dhe çdo vajze në këtë vend dhe përtej tij se nuk ka ambicie të paarritshme, nuk ka tryezë ku ato nuk kanë vend, nuk ka ëndërr aq të madhe sa të mos t’ia vlejë të ndiqet. Ti nuk hape vetëm dyer, ti rrëzove mure e barriera. Dhe kjo trashëgimi e jotja, e qetë, e thellë dhe e qëndrueshme, do të jetojë shumë më gjatë se çdo mandat, çdo titull apo çdo post që mund të mbash.
