Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka reaguar pas mandatimit të Glauk Konjufcës për kryeministër nga Këshilli i Përgjithshëm i Vetëvendosjes, duke theksuar se Kosova ndodhet përpara një momenti vendimtar politik e institucional që kërkon “vendime të qarta, të përgjegjshme dhe në përputhje me realitetin politik në Kuvendin e Republikës së Kosovës”.
Sipas PDK-së, tashmë është e qartë se shumica shqiptare në Kuvend, së bashku me disa deputetë të komuniteteve joshumicë joserbe, nuk e mbështesin më idenë e një mandati tjetër qeverisës për Lëvizjen Vetëvendosje.
“Çdo tentativë për t’ia dhënë sërish mandatin kësaj partie do të përbënte humbje kohe, zvarritje të panevojshme dhe thellim të mungesës së besimit në institucione”, thuhet në reagim.
PDK vlerëson se, ashtu siç ka dështuar Albin Kurti në sigurimin e shumicës, do të dështojë çdo përpjekje tjetër për ta zgjatur artificialisht procesin e formimit të qeverisë.
“Realiteti politik është i qartë: askush nuk e ka shumicën për të formuar qeverinë nga kjo legjislaturë”, thekson PDK, duke paralajmëruar se injorimi i këtij realiteti vetëm sa do të thellonte krizën dhe pasigurinë institucionale në vend.
