Dëshmitari i dytë i Mbrojtjes së Thaçit, Paul Williams, i prezantuar nga Mbrojtja si këshilltar ligjor pro bono për delegacionin e Kosovës në Konferencën e Rambujesë në shkurt dhe mars 1999, ka përfunduar dje dëshminë në Speciale. Ai do të vazhdojë sot dëshminë para trupit gjykues.
Williams mohoi se trupat gjermane kanë gjetur 15 të burgosur përfshirë edhe një person të moshuar i cili është gjetur i lidhur me pranga në një karrige dhe i rrahur e që ishte i vdekur në ish-godinën e MUP-it në Prizren.
Ai ka thënë të mos e ketë parë Hashim Thaçin si udhëheqës në këto bisedime. Williams, i cili të martën ka nisur dëshminë pranë Dhomave të Specializuara në Hagë, në rastin e gjykimit të drejtuesve të UÇK-së, ka thënë se Thaçi kontrollohej nga jashtë. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në periudhën e luftës.
“Krijohej përshtypja që dikush i kishte negociatat nën kontroll apo i kishte pjesërisht nën kontroll, ose nëse ishit në një pozitë as kështu e as ashtu, dmth. diku në mes. Mua nuk më është krijuar përshtypja që ai kishte kontroll të plotë mbi negociatat, por mendoj që ai i përfaqësonte interesat nga jashtë dhe mendoj që këto interesa nga jashtë e kishin ndikimin e tyre mbi autoritetin ose kontrollin mbi sjelljen e tij gjatë negociatave”, ka deklaruar Williams, i cili përveç në Rambuje (1999) ka qenë i angazhuar edhe në negociatat e Vjenës (2006-2007).
