Partitë politike në Kosovë nuk presin që ndryshimi i pushtetit në Serbi të sjellë ndryshim të madh në qasjen e këtij shteti ndaj Kosovës. Ata vlerësojnë se, pavarësisht zhvillimeve të reja politike në Serbi, qëndrimi ndaj Kosovës mund të mbetet i pandryshuar.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Nezir Kraki, ka thënë për Ekonomia Online se zhvillimet e fundit në Serbi mund të shënojnë fundin e epokës politike të Slobodan Millosheviçit, por jo domosdoshmërisht edhe të mendësisë së tij ekspansioniste ndaj Kosovës.
“Ndryshimet politike që ndodhën në Serbi është lajm i mirë për popullin serb, mendoj, edhe për një farë ndryshimi të kursit politik. Unë e thashë shkurt që ishte fundi i Millosheviçit në fakt. Nuk ishte fundi i Vuqiçit, po fundi i epokës së Millosheviçit. Por kjo nuk do të thotë që mendësia e Millosheviçit, ekspansioniste, pushtuese, pretenduese në fakt, historikisht e falsifikuar, mbi Kosovën, mbi tokën shqiptare, nuk ka me vazhduar me jetu në skenën politike serbe”, tha ai.
Kraki ka thënë se pret që skena e re politike në Serbi t’i qaset ndryshe Bashkimit Evropian, por ka theksuar se Kosova nuk duhet ta marrë përsipër përgjegjësinë për demokratizimin apo normalizimin politik të Serbisë.
“Mëgjithatë, pres që skena e re politike atje me iu qas ndryshe BE-së, interesave të Serbisë strategjike që i ka karshi BE-së dhe integrimeve. E, këtu sa i përket Kosovës, unë nuk mendoj që ne duhet me u brengosur shumë për çka ndodh atje, sepse nuk është misioni i Kosovës me e demokratizuar Serbinë ose me e normalizuar politikisht. Ajo i takon atyre, sikurse që e kam thënë shpesh, kur na kërkojnë ndonjë emisar diplomatë, kështu që vijnë se Kosova me i dhënë diçka që me u normalizuar Serbia. Jo, jo, unë jam kundër kësaj qasjeje. Kosova s’ka çka i jep, s’ka çka bën me u normalizuar Serbia”, tha ai.
Kraki ka shprehur pritjen që Lista Serbe të ndryshojë qasjen politike dhe të pranojë pavarësinë e Kosovës.




