Kryeministri i Kosovës dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka komentuar rezultatet e zgjedhjeve parlamentare në Serbi dhe performancën e përfaqësuesve politikë të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, gjatë fjalimit të tij në mbledhjen e 64-t të Këshillit të Përgjithshëm të partisë.
Kurti ka bërë të ditur se Koalicioni Shqiptar ka siguruar 27.670 vota dhe dy mandate parlamentare, duke shënuar, sipas tij, rezultatin më të lartë të shqiptarëve në Serbi që nga viti 2000.
“Të dielën që lamë pas, në Serbi u mbajtën zgjedhjet parlamentare, të cilat sollën rezultate historike për shqiptarët dhe ndryshime të rëndësishme politike në fqinjin tonë verior. Koalicioni Shqiptar mori 27.670 vota, plot 1.233 më shumë se në vitin 2020, duke shënuar rezultatin më të lartë të shqiptarëve që nga viti 2000 dhe duke siguruar dy mandate parlamentare”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka vlerësuar bashkimin e subjekteve politike shqiptare, duke e cilësuar rezultatin si dëshmi se interesi i përgjithshëm mund të vendoset mbi atë partiak.
“Shqiptarët, ndonëse pakica e katërt kombëtare për nga popullsia në Serbi, u renditën të dytët për nga votat dhe të parët, së bashku me hungarezët, për nga mandatet ndër 9 listat e pakicave kombëtare. Ky rezultat është fryt i përbashkimit të subjekteve politike shqiptare, të cilat, përkundër dallimeve ndërmjet tyre, vendosën interesin e përgjithshëm mbi atë partiak. Për këtë i falënderoj drejtuesit e secilit subjekt politik, kandidatët, aktivistët dhe qytetarët që e bënë të mundur këtë arritje”, është shprehur ai.
Duke folur për rezultatin e përgjithshëm të zgjedhjeve në Serbi, Kurti ka thënë se ato kanë sjellë një rikonfigurim të skenës politike. Sipas tij, Lista Studentore doli e para, koalicioni i presidentit Aleksandar Vuçiq humbi shumicën parlamentare, ndërsa lista e Ivica Daçiqit nuk arriti të sigurojë përfaqësim në Kuvend.
“Këto zgjedhje sollën edhe një rikonfigurim të skenës politike në Serbi. Lista Studentore doli e para, koalicioni i Aleksandar Vuçiqit humbi shumicën parlamentare, ndërsa lista e Ivica Daçiqit mbeti jashtë Kuvendit. Një çerek shekulli pas humbjes së Millosheviqit dhe Sheshelit në fillim të shekullit XXI, edhe pasardhësit e tyre politikë, Vuçiqi dhe Daçiqi, humbën. Aktualisht, ne e dimë kush e ka humbur pushtetin në Serbi, por ende nuk e dimë kush e ka fituar atë. Shpresojmë që ky ndryshim politik të shoqërohet edhe me ndryshimin pozitiv të qasjes së Beogradit zyrtar ndaj Republikës së Kosovës dhe shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë”, ka thënë Kurti.
Në vijim të fjalës së tij, Kurti ka folur edhe për nevojën e ballafaqimit të Serbisë me të kaluarën, duke përmendur denazifikimin e diskursit politik, dekriminalizimin institucional dhe demokratizimin e brendshëm si hapa të nevojshëm për normalizimin e marrëdhënieve me vendet fqinje.
“Ballafaqimi me të kaluarën, denazifikimi i diskursit politik, dekriminalizimi institucional dhe demokratizimi i brendshëm duhet të krijojnë kushtet për normalizimin e marrëdhënieve me fqinjët”, ka deklaruar ai.

Kreu i Qeverisë ka theksuar gjithashtu se zbardhja e krimeve të kryera ndaj civilëve shqiptarë, identifikimi i lokacioneve të varrezave masive dhe përcaktimi i fatit të personave të zhdukur mbeten detyrime ndaj viktimave dhe familjeve të tyre.
“Zbardhja e krimeve ndaj civilëve shqiptarë, e vendndodhjeve të varrezave masive dhe e fatit të personave të zhdukur është detyrim ndaj viktimave dhe familjeve të tyre. Pa të vërtetën për të kaluarën, nuk mund të ndërtohet besimi për të ardhmen. Ne dëshirojmë marrëdhënie të mira fqinjësore, paqe e bashkëpunim, mbi bazën e barazisë dhe respektit të ndërsjellë. Prandaj, shpresojmë që zhvillimet e reja të hapin rrugën për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohjen e ndërsjellë”, ka shtuar Kurti.