Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, ka njoftuar se pas reshjeve rekorde që e kanë përfshirë pothuajse të gjithë territorin e vendit, situata meteorologjike është stabilizuar sa i përket reshjeve.
Sipas parashikimit të motit nga IHMK-ja, java nis me depërtimin e masave të ftohta ajrore, të cilat do të përfshijnë gjithë territorin e Kosovës, duke shkaktuar rënie të ndjeshme të temperaturave.
Temperaturat minimale gjatë mëngjeseve pritet të zbresin deri në -12 gradë Celsius, derisa maksimalet e ditës parashihet të jenë deri në 7 gradë Celsius.
Era do të fryjë kryesisht nga veriperëndimi dhe juglindja, e lehtë deri mesatare. Mëngjeset do të jenë të ftohta me ngrica, ndërsa vende-vende pritet të ketë edhe mjegull.
Tutje, ky institut, ka kërkuar kujdes të shtuar për pjesëmarrësit në trafik.
