Duke komentuar aktgjykimin e Hagës ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së, publicisti Kim Mehmeti ka deklaruar se në Gjykatën Speciale mund të thirren edhe ish-drejtues të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK) në Maqedoni.
Mehmeti, në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, ka thënë se, sipas tij, fakti që disa prej drejtuesve të UÇK-së në Maqedoni kanë pasur role edhe në strukturat e UÇK-së në Kosovë mund të përdoret si bazë për kërkesa të tilla.
“Media në Beograd ushtojnë me atë se u dëshmua që edhe ata kanë bërë krime dhe e kthejnë edhe te pyetja se pse nuk u përgjigjën drejtuesit e UÇK-së në Maqedoni. Edhe ata do të mundohen ta përdorin këtë, nëse do të mund të thirren në Hagë edhe ish-drejtuesit e UÇK-së në Maqedoni. Shihni, ata kanë qenë edhe drejtues të UÇK-së së përgjithshme, pra, si të them, kanë vegëz ku të kapen. Por unë shpresoj se ajo nuk do të ndodhë. Mirëpo, nëse kësaj gjykate, siç e quaj, i lejohet edhe më tutje të veprojë, atëherë çka nuk mund të ndodhë”, ka deklaruar Mehmeti.




