Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u ka bërë thirrje partive politike në Kosovë që të arrijnë një marrëveshje dhe t’i themelojnë institucionet.
Në një intervistë për televizionin polak “TVP World” , ajo tha se partitë politike duhet t’i lënë dallimet anash dhe ta vendosin interesin e vendit para.
“E shfrytëzoj rastin që t’u bëjë thirrje sërish të gjitha partive politike që ta vendosin interesin e vendit para, e t’i lënë anash dallimet. Të tentojnë të formojnë një koalicion të shumicës parlamentare e cila e dërgon Kosovën para”, tha presidentja Osmani.
Osmani tha se shkaku i kësaj bllokade politike, po humben projekte të Bashkimit Evropian, po humben dritare të mundësive me administratën e re të SHBA-së, për të cilat është punuar.
“Shumica e marrëveshjeve duhet të shkojnë në Kuvend për t’u ratifikuar e në Qeveri për zbatim. Njerëzit e Kosovës duhet të kenë një qeveri efikase me fuqi të plotë”.