Dhjetëra mijëra studentë dhe kundërshtarë të tjerë të presidentit të Serbisë po mblidhen në qytetin verior të Novi Sadit për përkujtimin masiv të viktimave të një tragjedie të një viti më parë që la 16 të vdekur.
Përpara tubimit përkujtimor, është krijuar një momentum në favor të kërkesave të opozitës për ndryshime të mëdha në këtë vend pas gati një viti protestash antiqeveritare të udhëhequra nga studentët që e kanë tronditur rëndë presidentin Aleksandar Vuçiq dhe kontrollin e tij të fortë të pushtetit.
Ndërsa mijëra protestues arritën në Novi Sad nga i gjithë vendi, Vuçiqi ka kërcënuar me arrestime masive nëse të pranishmit përdorin dhunë dhe tha me bindje e mbështetësit e tij po planifikojnë një tubim “shumë më të madh” në qytet më vonë në nëntor.
Ai gjithashtu është përpjekur të minimizojë madhësinë dhe rëndësinë e pritur të tubimit përkujtimor të opozitës, raporton Associated Press.
Si filloi e gjitha
Katalisti për protestat disamujore ishte shembja vdekjeprurëse e tendës së një stacioni hekurudhor në Novi Sad më 1 nëntor 2024, e cila rezultoi në 16 viktima. Ky incident i është atribuar gjerësisht neglizhencës qeveritare, korrupsionit endemik dhe marrëveshjeve të dyshimta të bëra me kompanitë kineze të ndërtimit që morën pjesë në rinovimet e fundit të stacionit.
Fillimisht, protestat filluan si demonstrata sporadike që kërkonin përgjegjësi për tragjedinë e Novi Sadit. Megjithatë, ato evoluan shpejt në një lëvizje mbarëkombëtare që adresonte çështje më të gjera, të tilla si kërkesat për zgjedhje të parakohshme dhe reforma të mëdha demokratike.
