Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka njoftuar se ka urdhëruar ndërprerjen e përkohshme të procesit të numërimit të fletëvotimeve në Qendrën Komunale të Numërimit në Mitrovicë.
Ky vendim është marrë pas raportimeve për parregullsi të evidentuara gjatë procesit, ku komisionerët kanë ndërprerë numërimin për shkak të mospërputhjes së numrave serikë në disa fletëvotime. Fillimisht është dyshuar për gabim teknik, por janë paraqitur edhe pretendime për mundësi manipulimi të qëllimshëm.
Sipas njoftimit, numërimi do të qëndrojë i pezulluar derisa të pritet përgjigjja zyrtare nga operatori ekonomik që ka shtypur fletëvotimet, për të konfirmuar nëse bëhet fjalë për një gabim teknik apo për ndërhyrje të qëllimshme.
Postimi i plotë:
Prokuroria Themelore në Mitrovicë urdhëron ndërprerjen e numërimit të fletë votimeve në Qendrën Komunale në Komunën e Mitrovicës
Mitrovicë, 11 nëntor 2025 – Prokuroria Themelore në Mitrovicë njofton opinionin publik se ka urdhëruar që përkohësisht të ndërpritet procesi i mëtejmë i numërimit të fletë votimeve në Qendrën Komunale të Numërimit në komunën e Mitrovicës.
Kjo ka ardhur si pasojë e raportimit të parregullsive të paraqitura që kanë rezultuar me ndërprerjen e votimit nga ana e komisionerëve, për shkak të numrave serikë të ndryshëm në disa fletëvotime, ku është aluduar për gabime teknike, e po ashtu ka pasur edhe pretendime se kemi të bëjmë me manipulim të qëllimshëm me fletë votime.
Për këto arsyera, dhe me qëllim të shmangies të të gjitha dilemave, kjo urdhëresë vlen deri në marrjen e një përgjigje zyrtare nga operatori ekonomik që ka shtypur fletë votimet, e ku do të konfirmohet se a kemi të bëjmë me gabim teknik apo me manipulim të fletë votimeve, dhe varësisht nga përgjigja e marrë do të procedohet tutje.